Ndërlidhjet

Rreth 77% vuajnë nga tensioni i lartë


Foto ilustuese
Hipertensioni, apo shtypja e lartë e gjakut, njihet si sëmundje e heshtur, e cila po të mos kontrollohet, shkakton sulm në zemër apo goditje në tru.

Në botë gjatë vitit vdesin 9 milionë njerëz si pasojë e shtypjes së lartë të gjakut.

Në Kosovë nga kjo sëmundje vuajnë 77 për qind e popullatës, derisa hipertension paraqet 57 për qind të shkaqeve të vdekjes në vend.

Kjo vjen si rezultat i hulumtimeve që Instituti Kombëtar I Shëndetit Publik ka bërë për këtë çështje.

Naser Ramadani, drejtor i këtij instituti tregon për faktorët që ndikojnë në rritjen e shtypjes së gjakut.

"Sa i përket sëmundjes nga hipertensioni del se popullata jonë në bazë të hulumtimit, vuan në 77 për qind nga hipertensioni. Faktorët kryesor janë se po ndryshon stili i të jetuarit, mënyra e të ushqyerit, duke e pasur parasysh se këta faktorë të rrezikut, siç janë ushqimi i yndyrshëm, përdorimi i duhanit dhe alkoolit dhe mos aktiviteti fizik, janë të gjitha këto që ndikojnë në hipertension", shprehet Ramadani.

Derisa Ministri i Shëndetësisë Ferid Again, thotë për Radion Evropa e Lirë se
sëmundja e hipertensionit e cila përfshin 77 për qind të popullatës e ka vënë në vendin e parë problematikën e kësaj sëmundjeje dhe sipas tij I jep një peshë të veçantë dhe një tërësi të madhe në shëndetin publik dhe klinik.

"Strategjia e ballafaqimit me këtë sëmundje është strategji gjithëpërfshirëse ku MSH-ja dhe gjithë partnerët relevant e kanë hartuar një strategji gjithëpërfshirëse të ballafaqimit, që nënkupton parandalimin e kësaj sëmundjeje. Ndalimi i plotë i duhanit në vendet publike që është miratuar në Kuvend, do të thotë edhe më shumë aktivitet, ushqim më i shëndetshëm, matja më e shpeshtë e tensionit dhe trajtimi në rastet kur është zhvilluar, pra në këtë drejtim kemi bërë hapa ku tashmë kanë filluar edhe operacionet e zemrës brenda QKUK-së", shprehet Agani.

Derisa zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë pohuar se hipertensioni njihet si vrasës i fshehtë, derisa te shumë njerëz shfaqet pa simptoma.

Ata rekomandojnë që të bëhet kontrolli i rregullt i shtypjes së gjakut që të merren hapa adekuat drejt parandalimit.

"Hipertensioni është kontribuuesi kryesor i sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru. Në vitin 2008 OBSH-ja ka vlerësuar se 1 miliard persona kanë vuajtur nga hipertensioni apo një në çdo të tretin të rritur mbi 25 vjeç vuan nga hipertensioni", bën të ditur Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë.

Sidoqoftë, hipertensioni është sëmundje që rrit rrezikun prej sëmundjeve të zemrës dhe veshkave, duke qenë se shumë të prekur nuk kanë simptoma dhe kjo sëmundje njihet si vrasës i heshtur.

Komentet (1)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG