Ndërlidhjet

Përfundojnë pa marrëveshje “bisedimet bërthamore” me Iranin


Ali Bagheri duke folur gjatë konferencës në Almati, 5 Prill 2013
Ali Bagheri duke folur gjatë konferencës në Almati, 5 Prill 2013
Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se pozicionet e gjashtë fuqive botërore dhe të Iranit mbeten larg, pavarësisht diskutimeve intensive në Almati të Kazakistanit.

Duke folur për gazetarët, në fund të takimit dyditor, Ashton ka vënë në dukje mosmarrëveshjet e vazhdueshme.

“Është bërë e qartë se pozicionet e grupit E3+3 dhe Iranit mbeten larg në substancë. Jemi pajtuar që të gjitha palët të kthehen në kryeqytetet e tyre, për të vlerësuar se ku qëndron procesi. Do të jem në kontakt me kryenegociatorin iranian, Saeed Jalili, shumë shpejt, për të vlerësuar se si të shkojmë përpara”, ka thënë Ashton.

Ajo, megjithatë, ka theksuar se të gjitha palët kanë bërë diskutime të hapura.

“Kemi diskutuar detajet, kemi bërë pyetje dhe kemi marrë përgjigje direkte për çështjet që është dashur të diskutojmë. Ky është një element i rëndësishëm, por ajo çfarë ka rëndësi në fund, është substanca dhe, në këtë, ne jemi ende larg”, ka thënë Ashton.

Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë se palët kanë dështuar të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe mbeten për t’u pajtuar rreth një takimi të ardhshëm.

Gjashtë fuqitë botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Francën, Britaninë dhe Gjermaninë kanë biseduar për dy ditë radhazi me përfaqësues të Iranit.

Shqetësimet e tyre kanë të bëjnë me aktivitetin bërthamor të Republikës Islamike, për të cilin dyshojnë se synon krijimin e armës atomike.

Teherani zyrtar hedh poshtë akuzat, duke thënë programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.(v.tela)
XS
SM
MD
LG