Ndërlidhjet

Tre të vdekur nga shpërthimet në Boston


Tre të vdekur nga shpërthimet në Boston
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00
Linku direkt

Tre të vdekur nga shpërthimet në Boston

Udhëheqësit botërorë kanë dënuar ashpër shpërthimet vdekjeprurëse, që kanë goditur të hënën vijën e finishit në Maratonën e Bostonit, në Masaçusets.

Sulmet kanë vrarë tre njerëz, në mesin e tyre një djalë 8 vjeç, dhe kanë plagosur mbi 100 të tjerë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, i ka cilësuar ato si “të tmerrshme”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se “ky është një krim barbar” dhe ka ofruar ndihmën e Rusisë.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka thënë se vendi i tij ndjen “dhimbjet dhe vuajtjet që shkaktojnë incidentet e tilla”.

Shpërthimet janë dënuar fuqishëm edhe nga presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Më lejoni që në emër të Komisionit Evropian të shpreh ngushëllimet tona të thella për viktimat dhe familjet e tyre. Ne dënojmë çdo akt të dhunës dhe shprehim solidaritetin me miqtë tanë amerikanë në këtë ditë të trishtuar”, ka thënë Barroso.

Solidaritet me SHBA-në ka shprehur edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në telegramin e ngushëllimit drejtuar presidentit amerikan, Barack Obama, Jahjaga ka dënuar “aktet e dhunshme, që kanë marrë jetët e qytetarëve të pafajshëm”.

Hetuesit e Byrosë Federale të Inteligjencës (FBI) janë duke ekzaminuar video-pamjet, të marra nga spektatorët në kohën e shpërthimeve.

Presidenti Obama nuk i ka cilësuar sulmet si terroriste, duke thënë se hetimet janë në vazhdim e sipër.

Në adresimin e shkurtër për gazetarë, Obama është zotuar se do të gjejë keqbërësit dhe se do të sjellë “peshën e plotë të drejtësisë” mbi ta.

“Jemi ende në fazën e hetimeve, por dua të përsëris: do të gjejmë se kush e ka bërë këtë dhe do ta mbajmë përgjegjës”, ka theksuar Obama.

Ai ka urdhëruar që burimet e plota të qeverisë federale të vihen në dispozicion për të ndihmuar viktimat dhe për të ndihmuar hetimet.

“Bostoni është një qytet i fortë, ashtu si edhe njerëzit e tij. Jam tejet i bindur se qytetarët e Bostonit do të bashkohen, do të kujdesen për njëri-tjetrin dhe do të lëvizin përpara si një qytet krenar. Populli amerikan do të jetë me ta në çdo hap”, ka thënë Obama.

Administrata Federale e Aviacionit ka vendosur zonë të ndalim-fluturimit mbi vendin e ngjarjes, ndërsa siguria është rritur në Nju Jork, Uashington, Llos Angjelles, San Francisko dhe qytete të tjera.

Disa raporte thonë se së paku një pajisje e pashpërthyer është gjetur në Boston dhe se është çmontuar nga ekspertët.

Rreth 23,000 vrapues nga dhjetëra vende kanë marrë pjesë në garën 42-kilometërshe, e cila konsiderohet si maratona më e vjetër në botë që ndodh vit për vit.

Edicioni i sivjetmë është mbajtur për nder të 26 njerëzve që kanë humbur jetën në masakrën me armë, në Njutaun të Konektikatit, dhjetorin e kaluar.

Gara mbahet të Ditën e Patriorit – një festë shtetërore në Masaçusets, e cila kujton betejat e luftës amerikane për pavarësi.(v.tela)



Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG