Ndërlidhjet

Deklarimi pasurisë - i dyshimtë


Përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojnë nga institucionet kompetente që të ndërmarrin masa konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Ata thonë se agjencitë dhe mekanizmat e tjerë që kanë për synim luftën kundër korrupsionit duhet të ndërmarrin masa serioze në raport me hetimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit.

Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, konsideron se fillimisht duhet të bëhet një hetim i prejardhjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe pastaj deklarimi i asaj pasurie.

“Deklarimi i thjeshtë i pasurisë pa e pasur mundësinë, pa i pasur mjetet për verifikimin e prejardhjes së pasurisë, është thjesht një hi syve për opinionin publik, është një metodë që nuk siguron luftim të korrupsionit. Ndonjëherë, krijon motiv për korrupsion me shumë për shkak se zyrtarët thjesht thonë që ne po deklarojmë miliona dhe nuk ekziston mundësia e prejardhjes së tyre”, u shpreh Zogiani.

Zogiani konsideron se Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, ashtu siç është miratuar, nuk po e ndihmon Kosovë në uljen e shkallës së korrupsionit.

“Ligji për konfiskimin e pasurisë jo ligjore, praktikisht e ka mundësuar edhe më tutje këtë situatë sepse e ka bërë një klauzolë sipas së cilës, nuk mund të verifikohet pasuria, përveç kur një zyrtar përfshihet në ndonjë dyshim për vepër penale”, tha Zogiani.

Më shumë se 99 për qind e zyrtarëve të lartë publikë e kanë deklaruar pasurinë e tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit, brenda afatit ligjor, duke shënuar kështu përqindjen më të madhe të deklarimit qysh prej vitit 2007, kanë bërë të ditur zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Ky proces është obligativ sipas Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se deklarimi i pasurisë se zyrtarëve të lartë, është vetëm një preventivë e mos përhapjes së korrupsionit.

Për ta luftuar korrupsionin, me siguri që ka nevojë që të bëhen hetime dhe të vërtetohet pasuria e zyrtarëve të lartë. E dimë që edhe me herët është deklaruar pasuria e zyrtarëve të lartë mbi 90%. Tash kemi një suksese pak më të madh, gati 100%. Po deklarohet, mirëpo problemi qëndron në atë se çka po deklarohet dhe a jemi në gjendje si shtet që ta vërtetojmë këtë pasuri”, tha Mustafa.

Agjencia Kundër-Korrupsionit me raportin e saj vjetor, ka raportuar se shtrirja e korrupsionit po thuajse ka përfshirë të gjitha institucionet e vendit si ato të nivelit qendror ashtu edhe lokal.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë, ka deklaruar se askush nuk mund të lavdërohet se shteti i ka punët mirë, për sa i përket shpenzimit të përgjegjshëm të parasë publike.

Gjatë vitit të kaluar Agjencia Kundër-Korrupsionit, ka hetuar 244 lëndë, kurse prej tyre kanë rezultuar 52 kallëzime penale kundër më shumë se 150 zyrtarëve.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se ndikimi i politikës në punët e Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë, po e pamundëson pavarësinë e këtyre organeve të ndjekjes, dhe si rrjedhojë, një kategori e shoqërisë po pasurohet jashtëligjshëm.
XS
SM
MD
LG