Ndërlidhjet

Vuçiq: Referendum do të ketë nëse pranohen rezultatet


Aleksandar Vuçiq
Aleksandar Vuçiq
Serbia pritet ta marrë vesh të martën nëse do të thirret populli për të dhënë mendimin e vet për apo kundër marrëveshjes që lidhi Qeveria e saj me autoritetet në Kosovë, për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se serbët e veriut të Kosovës duhet të sqarohen të martën e ardhshme nëse pranojnë apo jo të zbatojnë marrëveshjen e lidhur me Prishtinën, dhe se varësisht nga përgjigja e tyre, do të dihet se a do të shkojë Serbia apo jo në referendum.

“Ata kanë refuzuar zbatimin e marrëveshjes. Referendumi do të bëhet nëse ata pranojnë rezultatet e referendumit... dhe bashkë me ne pastaj, do të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjes”, u tha Vuçiq gazetarëve në Beograd, pas takimit me kryetarët e komunave veriore të Kosovës.

“Referendumi varet nga përgjigja e serbëve dhe nëse ata e duan Serbinë e unifikuar. Nëse ata thonë se nuk duan, atëherë brenda 15 ditëve (nga e marta) e marrim vesh a do të ketë referendum apo jo”, shtoi Vuçiq.

Zëvendëskryeministri serb tha se nuk ka alternativë tjetër për të arritur “një unitet në Serbi” rreth marrëveshjes me Kosovën, sepse nga nënshkrimi që ka vënë qeveria, varet e ardhmja e gjithë Serbisë.

“Do të ishte më mirë që disa njerëz të kuptojnë se ky është çmimi, por nëse pa këtë nuk binden, atëherë shkojmë në referendum”, tha Vuçiq, duke potencuar se marrëveshjen e arritur, Beogradi nuk mund ta zbatojë pa serbët e veriut.

Të martën vazhdojmë konsultimet me serbët e veriut, por jam i bindur se Serbia do të zbatojë politikën e vet. Kurse, a do të ketë apo jo referendum, kjo nuk varet prej nesh, por prej serbëve në Kosovë... Për marrëveshjen jam i bindur, se një ditë serbët do të thirren në atë që po thirremi ne sot, si për rastin e Daytonit dhe rezolutës 12 44”, theksoi Vuçiq.

Veriorët i thonë JO Daçiqit dhe Vuçiqit

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës i thonë Qeverisë së Serbisë se marrëveshja e Brukselit me Kosovën, është e papranueshme për ta dhe se nuk do të jenë pjesë e zbatimit të saj.

Kryetari i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, u tha mediave në Beograd, se i ka kërkuar kryeministrit, Ivica Daçiq, dhe zëvendësit të tij, Aleksandar Vuçiq, që në rast se Qeveria “insiston në zbatimin e marrëveshjes, atëherë duhet thirrur një referendum.”

“Nëse shteti planifikon që ta zbatojë (marrëveshjen), duhet ta dijë se atë do ta bëjë pa ne, dhe natyrisht, duket se askush nuk mund të jetë më i fortë se shteti-pasi shteti mundet me një lëvizje të vetme të na largojë nga këto pozita që kemi”, tha Ristiq.

Kryetarët e katër komunave të pjesës veriore të Kosovës, Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, diskutuan për tre orë rresht me krerët më të lartë të Qeverisë serbe të enjten në Beograd, ndërsa Ristiq tha se nuk ka pasur presion nga ana e Daçiqit dhe Vuçiqit që ata të pranojnë marrëveshjen.

Sipas tij, serbët e Kosovës do të organizojnë protesta në Beograd në shenjë pakënaqësie për marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Kryetari i Zubin Potokut theksoi se marrëveshjen e refuzojnë për shkak se në të nuk ka Serbi, por “vetëm integrim në të ashtuquajturën Kosovë të pavarur”. (f.aliu)
XS
SM
MD
LG