Ndërlidhjet

Veriu i Kosovës "anashkalon" serbët e jugut


Kundërshtimet këmbëngulëse, të cilat serbët e veriut të Kosovës po i shfaqin ndaj marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po i vë ata në pozicionin “kundër të gjithëve”, vlerësojnë liderët e serbëve që jetojnë në Kosovën qendrore.

Por, sipas tyre, kjo është një strategji tejet e dëmshme për interesat e të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë.

Rangjel Nojkiq, lider i serbëve të Kosovës qendrore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në strategjinë, siç e quan ai, të gabuar të serbëve të veriut, kanë ndikuar të gjithë faktorët, përfshirë këtu, autoritetet e Kosovës, ato të Serbisë, si dhe bashkësinë ndërkombëtare, për shkak se për shumë vite, sipas tij, i kanë privilegjuar serbët që jetojnë në atë pjesë të vendit.

Liderët e serbëve të veriut, vlerëson Nojkiq, po përpiqen që të diktojnë kushte të veçanta për ta, në krahasim me serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër, madje, duke kërkuar edhe referendum në Serbi lidhur me çështjen e marrëveshjes.

“Mendoj se tash, pas qëndrimit të qartë që ka shprehur ekipi i bisedimeve, gjegjësisht Qeveria e Serbisë, ku zoti Vuçiq dhe zoti Daçiq e kanë thënë në mënyrë të qartë se pajtohen me referendumin, serbët e veriut tash në fakt kanë hequr dorë dhe nuk pajtohen as me referendumin".

"Kjo flet mjaft qartë se ata dëshirojnë t’i ruajnë pozicionet e veta, t'i krijojnë raportet dhe të parashtrojnë kushte, të cilat i konvenojnë veriut, duke mos iu interesuar për të gjithë serbët e tjerë në Kosovë”, tha Nojkiq.

Rada Trajkoviq nga Graçanica, lidere e serbëve të Kosovës qendrore, njëherësh edhe deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se refuzimi i marrëveshjes nga ana e liderëve serbë të veriut nuk e përfaqëson edhe qëndrimin e shumicës së qytetarëve të veriut.

“Mendoj se megjithatë, gjendja brenda popullit serb në veri të Kosovës, ndoshta nuk i përgjigjet plotësisht gjendjes për të cilën flasin liderët. Në anën tjetër, në momentin kur është arritur marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, unë mendoj se në njëfarë mënyrë është dërguar porosia se statusi i serbëve do të zgjidhet brenda asaj kornize, vetëm se, ndonjëherë edhe liderët e serbëve nuk i lexon me kohë porositë politike”, theksoi Trajkoviq.

Ajo shtoi se këmbëngulja e liderëve serbë të veriut të Kosovës, për të mos e pranuar marrëveshjen dhe zbatimin e saj, e tregon orientimin e tyre për të shkuar drejt ndarjes së Kosovës.

Sipas saj, këtë qëllim nuk e kanë vetëm këta liderë, por edhe mbështetësit e tyre, do të thotë, individë, organizata, parti të ndryshme në Serbi, Mal të Zi dhe Republikën serbe të Bosnjë e Hercegovinës, të cilët mendojnë se çështja e zgjidhjes së problemeve në Ballkan është ndarja mbi baza etnike.

Në anën tjetër, Nojkiq, vlerëson se marrëveshja e arritur në Bruksel me 19 prill, ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, i ofrojnë shansin të gjithë serbëve që në mënyrë të barabartë t’i mbrojnë interesat e tyre.

Kjo mbrojtje e interesave, sipas tij, do të varet nga fakti se si do të organizohen serbët dhe një organizim i mirë, siç thotë ai, do të varet nga uniteti i të gjithë serbëve në Kosovë.

Por, Nojkiq vlerëson se me kushtet të cilat po i vënë serbët e veriut, uniteti i tyre do të dështojë. Prandaj, thotë ai, është shumë e rëndësishme që marrëveshja të zbatohet plotësisht.

“E kemi dëgjuar deklaratën e kryeministrit Daçiq, i cili ka thënë se pa marrë parasysh që edhe nëse zbatohet referendumi dhe pavarësisht nga rezultati i tij, nuk mund të shkohet prapa dhe marrëveshja duhet të zbatohet. Prandaj, kjo flet mjaft qartë për vendosmërinë që e ka Qeveria e Serbisë".

"Por, mendoj që efekti i rezistencës që po e bën veriut, gjithnjë e më pak do të ketë fuqi, duke pasur parasysh që njerëzit po e shohin mjaftë qartë se për çfarë bëhet fjalë dhe se serbët e veriut dëshirojnë vetëm ta bllokojnë zbatimin marrëveshjes dhe asgjë tjetër”, tha Nojkiq.

Por, Trajkoviq, thotë se serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër, e kanë mbështetur dhe pranuar marrëveshjen vetëm për faktin se ajo i mban të bashkuar serbët e Kosovës.

“Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë se serbët janë qytetarë të tyre dhe jo qytetarë për të qëlluar në ta. Në anën tjetër, serbët në jug të lumit Ibër kanë pranuar marrëveshjen, më shumë në funksion të shprehjes së kënaqësisë për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, thjeshtë për faktin se mendojmë që sa më shumë që të jemi, më mirë do të funksionojmë”, theksoi Trajkoviq.

Ndryshe, Nojkiq ka shprehur mendimin se liderët e serbëve të veriut, në mënyrë klasike po e mashtrojnë popullatën atje, por në këtë rast, sipas tij, Beogradi e ka rolin kryesor që t’i kundërshtojë qëndrimet e këtyre liderëve
XS
SM
MD
LG