Ndërlidhjet

QKUK-ja, tre vjet me ushtrues detyre


QKUK
QKUK
Të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për tre vjet me radhë udhëhiqen me ushtrues detyre.

Vitin e kaluar, më 18 janar, ishin shpallur emrat e gjashtëmbëdhjetë drejtorëve të rinj të klinikave dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, dhe ky konkurs u anulua një ditë më vonë.

Zgjedhja e drejtorëve të klinikave pati shkaktuar mospajtime, si nga kandidatët që nuk arritën të përzgjidhen në krye të klinikave, po ashtu edhe nga sindikalistë të shëndetësisë, duke e vlerësuar se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve ka pasur shkelje ligjore.

Time Kadriaj, anëtare e komisionit për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se udhëheqësia është vonuar në zgjedhjen e drejtorëve të klinikave brenda QKUK-së.

"QKUK-ja prej vitit 2010 është me ushtrues detyre. Ushtrues detyre kanë mbetur ata drejtorë që kanë qenë edhe me herët. Janë vonuar shumë në zgjedhjen e drejtorëve, sepse vendimi i gjykatës ka qenë që të anulohet konkursi dhe të shpallet menjëherë tjetri", thotë ajo.

Ndërkaq Nexhmedin Shala, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i QKUK-së ka deklaruar se me hyrjen në fuqi të ligjit për shëndetësi, do të zgjidhen edhe drejtorët e klinikave.

"Drejtorët do të zgjidhen. Po presim që Ligji për shëndetësi të nënshkruhet dhe do të hapë shtigje të reja në raport me zgjedhjen e drejtorëve. Një arsye shtesë që ne të fillojmë të zbatojmë atë që quhet Ligj i punës. Kjo ka qenë e ngatërruar, pasi që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka ditur të ndërhyjë duke i trajtuar drejtorët si shërbyes civilë".

"Telashet e krijuara në këtë raport kanë ndikuar që ne të mos mund t'i zgjedhim drejtorët në mënyrë adekuate. Ligji i ri, punëtorët shëndetësorë i specifikon ashtu siç i specifikon edhe ligji, shërbyes të punës, jo shërbyes civilë. Është një moment i favorshëm që drejtorët e klinikave të zgjidhen ashtu siç duhet", shprehet Shala.

Por zonja Kadriaj pohon se nuk është dashur të pritet tre vjet një ligj i ri për t'u zgjedhur drejtorët.

"Kosova nuk ka qenë pa Ligj për shëndetësi, dhe nuk është dashur të pritet tri vjet një ligj i ri për t'u zgjedhur drejtorët, nuk ka arsyetim. Si është e mundur që tri vjet të pritet që të zgjidhen drejtorët dhe ende të mos gjendet moduli. Është aprovuar edhe statuti për këtë çështje, por pa sukses", bën të ditur ajo.

Sidoqoftë, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani ka thënë se viti 2013 do të jetë një vit i zhvillimit të reformave, ku objektiva mbesin: funksionalizimi i shërbimit spitalor dhe klinik Universitar i Kosovës, i themeluar me Ligjin e ri të shëndetësisë, funksionalizimi i Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë, themelimi i Odave të Profesionistëve Shëndetësor, zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe objektivat të tjera.
XS
SM
MD
LG