Ndërlidhjet

Rritet numri i dhuruesve të gjakut


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Dhuruesit vullnetarë të gjakut në Kosovë, çdo vit po rriten. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, tremujori i parë i këtij viti dukshëm ka shënuar rritje të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, bën të ditur Hysen Sadriu, drejtor i Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, në Prishtinë.

Me shumë doza që kërkohen gjatë ditës, gjaku është bërë një nga nevojat kryesore të pacientëve kosovarë. Sadriu thotë se dhuruesit e gjakut janë të moshave të ndryshme dhe grupeve të ndryshme të gjakut.

"Qendra e Kosovës për transfuzionin e gjakut qëndron shumë mirë sa i përket furnizimit me gjak dhe komponentëve të gjakut. Kjo është si rrjedhojë e dhurimit vullnetar të gjakut, e posaçërisht nga ana e të rinjve dhe falë tyre kemi rezerva të mjaftueshme të gjakut dhe të produkteve të tij", bën të ditur Sadriu.

Sipas tij, dhuruesit vullnetarë më të mëdhenj të gjakut, janë nxënësit e shkollave të mesme, derisa shton se aksionet për dhurimin vullnetar të gjakut së shpejti do të fillojnë edhe nëpër fakultete.

Sa i përket raporteve zyrtare me institucionet private shëndetësore, Sadriu deklaron se kanë bashkëpunim të mirë dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që ndonjë pacient që trajtohet kudo nëpër spitale të pësojë për shkak të mungesës së gjakut.
Sa i përket bashkëpunimit me spitale private, bashkëpunimi është i njëjtë sikurse me spitalet shtetërore.

"Sa i përket bashkëpunimit me spitale private, bashkëpunimi është i njëjtë sikurse me spitalet shtetërore. Por, spitalet private zakonisht paralajmërojnë më herët nëse kanë nevojë për gjak. Ne i trajtojmë të gjithë pacientët njëjtë, sikurse ata që trajtohen në spitale private, po ashtu edhe ata në shtetëror - për ne pacienti është pacient", thotë Sadriu.

Ndërkaq, qytetarët thonë se trupi i njeriut ka nevojë të prodhojë gjak të ri, andaj dhurimi vullnetar është i domosdoshëm dhe shumë human.

"Unë jap gjak me dëshirë dhe mendoj se është mirë të jepet gjak. Madje, mendoj se është e domosdoshme për shkak se shpëton jetë", shprehet Valon Berisha, dhurues vullnetar i gjakut.

Por, ka edhe qytetarë të tillë, të cilët thonë se nuk janë vullnetarë të rregullt gjaku, por nëse ndonjë familjar ka nevojë, atëherë janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë.

Besim Hasin e takuam në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut teksa po dhuronte gjak për babanë e tij.

"Unë kam ardhur këtu me një familjar timin dhe po dhuroj gjak për të. Përndryshe nuk jam dhurues i rregullt i gjakut, por në rastet si sot, që është kërkuar, unë menjëherë kam ardhur. Kam pasur rast edhe më herët kur kam dhuruar gjak, për një shok, që ka pasur aksident trafiku. Është shumë gjest i mirë, shpëton jetë njeriu", thotë Besim Hasi.
XS
SM
MD
LG