Ndërlidhjet

Jacobson pret këtë javë planin e zbatimit


Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, dhe presidentja Atifete Jahjaga.
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, dhe presidentja Atifete Jahjaga.
Plani i zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizimin e raporteve, pritet të kompletohet gjatë kësaj jave.

Të paktën, kështu shpreson ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila i tha Radios Evropa e Lirë se përveç këtij afati kohor optimal, pret të shohë edhe zbatim të atyre pikave, për të cilat Prishtina dhe Beogradi dhanë pëlqimin e tyre në Bruksel.

“Është një proces, të cilin e udhëheq Bashkimi Evropian, në krye me baroneshën Ashton, por unë mendoj se afati i zbatimit është tani, që të arrihet një marrëveshje për planin e zbatimit. Shpresoj ta shoh (planin e zbatimit) të jetë arritur brenda javës së ardhshme, në mënyrë që plani të mund të zbatohet, dhe që të dyja palët të tregojnë angazhim për zbatimin. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen evropiane të të dyja shteteve”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, përafruan më 19 prill, një marrëveshje bazë për normalizimin e raporteve, me të cilën rregullohet edhe statusi i serbëve të veriut, shpërbërja e strukturave paralele dhe përfshirja e tyre në administratën kosovare.

Po ashtu, plani parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale për katër komunat veriore, të cilave u lejohet të grumbullohen në një Asociacion pa pushtet ekzekutiv.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, shoqëronte të dielën presidenten Atifete Jahjaga në Manastirin e Deçanit, ku kishin shkuar për t’iu uruar klerikëve dhe besimtarëve ortodoksë, festën e Pashkëve.

Presidentja e Republikës tha se vizita e tyre ndërlidhet me shpërndarjen e porosisë së tolerancës, solidaritetit dhe të mirëkuptimit për komunitetin ortodoks serb në Kosovë.

“Toleranca ndërfetare ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër vlerat më të rëndësishme të shtetit tonë, Republikës së Kosovës, sepse ne jemi duke e ndërtuar në mënyrë të suksesshme një shtet gjithëpërfshirës, një shtet demokratik, ku të gjitha komunitetet dhe secili individ, në mënyrë të barabartë, i realizon dhe i gëzon të drejtat e veta”, tha Jahjaga.

Në Manastirin e Deçanit ishin edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq, dhe komandanti i KFOR-it, Volker Halbauer.

Gjeneral-majori gjerman, i cili drejton forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, tha se KFOR-i është i gatshëm që të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, përderisa shfaqi shpresën se gjërat po ecin në drejtimin e duhur.

Sipas komandantit të KFOR-it, Halbauer, mandati i misionit të tij nuk ka ndryshuar për 14 vjet me radhë, prej hyrjes në Kosovë, dhe se në suaza të mandatit të tij, edhe do të mbështesë parametrat, për të cilët liderët politikë në Prishtinë dhe Beograd vënë firmën.

Volker Halbauer
Volker Halbauer
“Përgjatë tërë viteve, KFOR-i është në këtë shtet në këtë rajon, për 14 vjet me radhë. Por, misioni i KFOR-it nuk ka ndryshuar. Pra, misioni dhe mandati im, është i njëjtë. Ne do të kontribuojmë edhe më tej për një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe lëvizje të lirë, për të gjithë njerëzit e Kosovës. Ky është misioni dhe mandati im dhe në të njëjtën mënyrë unë do ta mbështes procesin politik, sa më mirë që mundemi”, u përgjigj gjenerali gjerman kur u pyet për rolin që do të ketë KFOR-i në veri, në bazë të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ndryshe, afatet kohore për nisjen e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, nuk është se çojnë peshë për zëvendëskryeministrin Sllobodan Petroviq.

Sipas tij, është procesi që vlen më shumë sesa a do të mbarojë plani i zbatimit brenda një afati të caktuar kohor.

“Për mua është më i rëndësishëm procesi, i cili do të ketë rëndësi dhe sukses, sesa që të lidhemi me data. A do të jetë kjo një javë prapa apo para, kjo është diçka, për të cilën unë mendoj, se është më pak e rëndësishme sesa ky (rezultat) të jetë afatgjatë”, i tha Sllobodan Petroviq Radios Evropa e Lirë.

Petroviq tha se ka besim se kolegu i tij në Qeveri, Hajredin Kuçi, me ekipin e tij për zbatimin e marrëveshjes, do të japë rezultate konkrete shumë shpejt, me ç’rast do të nisë edhe zbatimi në praktikë i marrëveshjes Kosovë-Serbi.
XS
SM
MD
LG