Ndërlidhjet

Gjermani: Filloi procesi kundër neonazistes


Beate Zschaepe
Beate Zschaepe
Në Gjermani ka filluar procesi kundër 38 vjeçares, Beate Zschaepe, e akuzuar se është anëtare e një grupi neonazist, që fajësohet për një varg të vrasjeve me motive raciste.

E veshur me kostum të mbyllur dhe në dukje e relaksuar, e akuzuara ishte sjellë në një gjykatë në Munih, me masa të shtuara policore, derisa jashtë gjykatës protestohej kundër racizmit.

Publiku kishte pritur prej mëngjesit për të hyrë në sallën e gjykatës, me gjithë masat e shtuara të kontrollit, përfshirë edhe kontrollin e flokëve.

Zëdhënësi i policisë së Munihut, Wolfgang Wenger, tha se përkundër ndjeshmërisë së rastit, nuk priten probleme.

“Ne jemi këtu me gjithsej 500 policë, për t’u kujdesur për role të ndryshme, siç është mbrojtja e ndërtesës, ndihma për zyrtarët e gjykatës gjatë kontrollit në hyrje, siguria brenda ndërtesës së gjykatës, dhe natyrisht, transporti dhe vëzhgimi i të akuzuarës. Po ashtu, janë paraparë gjashtë demonstrata, që parashihet të kenë prej dy e deri në 500 pjesëmarrës. Pra, ka shumë punë, por ne nuk parashohim asnjë problem”, tha Wolfgang Wenger.

Beate Zschaepe është e akuzuar se ka marrë pjesë në vrasjen e tetë turqve, një greku dhe një police gjermane, në periudhën 2000 – 2007.

Ajo, po ashtu, është e akuzuar për involvim në së paku dy sulme me bomba dhe 15 plaçkitje të bankave dhe për anëtarësim në organizatën terroriste, që quhet Nëntoka SocialisteNacionale.

Katër persona të tjerë ndodhen në proces gjyqësor dhe janë të akuzuar për ndihmën që i kanë dhënë kësaj organizate. Në vitin 2011, dy prej pjesëtarëve të saj kishin bërë vetëvrasje, pas një plaçkitjeje të një banke.

Ky rast ka pasur jehonë skandaloze në Gjermani, e cila ende po bënë përpjekje për ballafaqim me të kaluarën naziste të saj.

Shumë kritikë thonë se qeveria aktuale ishte hezituese për ta pranuar rritjen e aktiviteteve të së djathtës ekstreme në Gjermani, vend që ka popullatë të madhe imigrante.

Parlamenti gjerman po zhvillon një hetim të ndarë lidhur me atë se si policia dhe agjencitë e inteligjencës në mënyrë të përsëritshme kishin dështuar t’i ndërlidhin vrasjet me grupet e së djathtës ekstreme, ndërsa në disa raste i kishin vënë të afërmit e viktimave nën dyshime.

Ky proces gjyqësor është rasti i parë për anëtarët e familjeve të viktimave që të ballafaqohen me të akuzuarën Beate Zschaepe, e cila kishte dhënë pak shpjegime për motivet e saj.

Raportohet se ajo kishte qenë në kontakt me ekstremistin norvegjez kundër migrimit, Anders Breivik, i cili në vitin 2011, i ka vrarë 77 njerëz gjatë një sulmi me bombë dhe me pushkë automatike, i cili aktualisht e vuan dënimin me burg.

Breivik i kishte shkruar vitin e kaluar të akuzuarës gjermane, Zschaepe, duke iu referuar si “motër e dashur” dhe kishte kërkuar nga ajo që ta përdorë procesin gjyqësor për ta përhapur ideologjinë e së djathtës ekstreme.

Procesi kundër të akuzuarës Beate Zschaepe pritet të zgjasë së paku një vit. Ajo mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtore. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG