Ndërlidhjet

Rusi, SHBA: Pajtueshmëri për tranzicion në Siri


Lavrov dhe Kerry
Lavrov dhe Kerry
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do t’i inkurajojnë kryengritësit në Siri dhe qeverinë në Damask, që të bisedojnë për një tranzicion politik, për ta përfunduar gjakderdhjen që po zgjat afro dy vite.

Këto komente u bënë mbrëmë vonë në Moskë, pas takimeve të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe me zyrtarë të tjerë rusë, përfshirë edhe ministrin e jashtëm, Sergei Lavrov.

Pas takimit Kerry dhe Lavrov thanë se Washingtoni dhe Moska do të punojnë për të organizuar një konferencë për Sirinë, deri në fund të këtij muaji.

“Ne jemi pajtuar për këto çështje: Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do ta inkurajojnë qeverinë e Sirisë dhe grupet opozitare, me qëllim që të gjejnë zgjidhje politike".

"Ne, poashtu, jemi pajtuar për domosdoshmërinë që kjo të provohet sa më shpejtë që është e mundshme, bile deri në fund të muajit, për të organizuar një konferencë ndërkombëtare, e cila do të ishte vazhdim i konferencës së Gjenevës, që ishte mbajtur në muajin qershor të vitit të kaluar”,
tha Sergei Lavrov.

John Kerry në Moskë
John Kerry në Moskë
Plani i Gjenevës parasheh hapat për krijimin e një qeverie me pjesëmarrjen e të dyja palëve, të cilat do të kenë mundësinë e vetos ndaj kandidatëve për të cilët konsiderojnë se janë të papranueshëm.

John Kerry tha se u takon sirianëve të vendosin nëse presidenti Bashar al-Assad do të merrte pjesë në procesin e tranzicionit politik.

“Është e pamundshme për mua si individ, për të kuptuar se si Siria do të mund të qeverisej në të ardhmen, nga njeriu, i cili, siç e dini, ka kryer gjëra që ne e dimë se kanë ndodhur. Por, unë nuk do të vendos për këtë çështje menjëherë e as në të ardhmen. Marrëveshja e Gjenevës thotë se qeveria e tranzicionit duhet të zgjidhet me pajtueshmëri reciproke nga palët”, tha John Kerry.

Kerry ka sugjeruar se progresi në zgjidhjen politike në Siri mund të ndikojë në vendimin e ëashingtonit nëse do t’i armatos kryengritësit.

“Nëse një lloj i procesit të këtillë mund të lëvizë me sukses, për t’i sjellë partitë së bashku dhe aktualisht ta implementojnë Marrëveshjen e Gjenevës, shpresojmë se kjo nuk do të jetë e nevojshme. Shumë varet nga ajo se çka do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme”, tha John Kerry.

Nga konflikti në Siri vlerësohet se janë vrarë afro 70 mijë njerëz.

Të dy zyrtarët e lartë, John Kerry dhe Sergei Lavrov, biseduan edhe për tema të tjera.

Zoti Lavrov, tha se ëashingtoni dhe Moska kanë detyrë të përbashkët për luftimin e terrorizmit.

“Të gjitha problemet dhe të gjitha mospajtimet janë lënë anash dhe ne i kemi konsoliduar përpjekjet për luftimin e së keqes së përbashkët".

"Terrorizmi, ekstremizmi dhe shumë kërcënime të tjera, kërkojnë përpjekje unike”,
tha Sergei Lavrov. (f.b.)
XS
SM
MD
LG