Ndërlidhjet

Katërmbëdhjetë kërkesa për formim komunash


Ilustrim
Ilustrim
Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal, ka pranuar katërmbëdhjetë kërkesa nga lokalitetet e ndryshme në Kosovë që vende të caktuara të bëhen komuna.

Qeveria e Kosovës, ka marrë tashmë vendim që Ministria e Pushtetit Lokal t’i nisë procedurat për themelimin e komunës së Hasit, me qendër në Rogovë.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Basri Musmurati, tha për Radion Evropa e Lirë se rajoni i Hasit, që përfshin 41 fshatra me rreth 42 mijë banorë meriton të bëhet komunë.

“Banorët e këtyre lokaliteteve kanë bërë tri herë kërkesë në ministrinë tonë dhe plotësojnë kriteret e parapara me ligj për t'u bërë komunë”, tha Musmurati.

Disa nga fshatrat e këtij rajoni, janë nën komunën e Prizrenit, e disa në atë të Gjakovës.

Musmurati tha se Qeveria apo ministria e përkatëse do t’i shqyrtojë me radhë edhe kërkesat e tjera të ardhura nga lokalitetet tjera.

“Kemi edhe kërkesa të tjera, gjithsej janë 14 kërkesa, me këtë të Hasit për formimin e komunave të reja, por një pjese e këtyre lokaliteteve i plotësojnë kriteret sipas kartës evropiane dhe sipas ligjeve të Kosovës që të jenë komuna. Ka edhe aso kërkesa të cilat janë bërë dhe që nuk i plotësojnë kushtet dhe i kanë bërë ato kërkesa vetëm sa për t’i bërë”, tha Musmurati.

Hasi, Orllani nga komuna e Podujevës, Runiku, nga Skenderajt, Zymi i Prizrenit, Rogova e Gjakovës, Hogoshti nga Kamenica, Zhegra e Gjilanit, Reçani e Gora nga Prizreni, Rogaqica e Kamenicës, Krusha e Madhe e Rahovecit, Vitomirica e Pejës, Komorani i Drenasit dhe Ponoshevci i Gjakovës janë vendet të cilat kanë bërë kërkesa për t’u shndërruar në komuna.

Në Ligjit për Kufijtë Administrativ Komunal thuhet se; themelimi i komunave të reja, bashkimi, ndarja, ndryshimi i kufijve administrativ të komunës dhe caktimi i emrit apo selisë se komunës bëhet me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.

Në ligj thuhet po ashtu se ndryshimi i kufijve administrativ të komunës nuk mund të bëhet para konsultimit me qytetarët në komunat ose pjesët e komunave të prekura nga ndryshimi.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron se vendimi për formimin e komunës se Hasit bije në kundërshtim me ketë ligj (Ligjit për Kufijtë Administrativ Komunal).

“Mendojmë se është një vendim i pa analizuar mire, sepse mendojmë se nuk ka pas një konsultim të gjerë madje edhe me vet qytetarët e atij rajoni. Mandej ne kemi dozën tonë të skepticizmit se janë të qëndrueshme komunat e tilla të reja. Sepse kam përshtypjen e se nuk janë realizuar të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në mirëqenien dhe ekzistencën e komune të caktuar në Kosovë”, tha Selmanaj.

Selmanaj konsideron se vendimin i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Komunës se Hasit, por edhe iniciativat e tjera kanë qëllime politike dhe synime për të përfituar në procesin e zgjedhjeve të këtij viti.

“Nga ana tjetër, ne mendojmë se kjo qasje e Qeverisë së Kosovës në këto momente, mendoj që gati është e pamundur që komunat e reja eventuale të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Sepse po them, e para duhet ndryshuar ligji për kufij administrativ, e dyta duhet ndërtuar kapacitete, duhet ndërtuar sistem brenda një komune në mënyrë që ato të jenë të gatshme të futen në zgjedhje të ardhshme”, tha Selmanaj.

Sido që të jetë, nga autoritetet kompetente thuhet se me radhë do të shqyrtohen të gjitha kërkesat të cilat kanë të bëjnë më formimin e komunave të reja për shkak të numrit të madh të banorëve që kanë ato vendbanime.
XS
SM
MD
LG