Ndërlidhjet

DASH sqaron se Serbia s'ka juridiksion mbi Trepçën


Trepça
Trepça
Ambasada amerikane në Prishtinë ka kumtuar se “është praktikë jona që të këshillojmë cilëndo kompani të Shteteve të Bashkuara, që kërkon të bëjë transakcion afarist në territorin e Kosovës, që ta diskutojë këtë direkt me Qeverinë e Kosovës”.

Këto komente janë bërë lidhur me raportet se autoritetet e Serbisë e kanë arritur një marrëveshje me kompaninë amerikane “New Power Generation” për minierat e Trepçës.

Në kumtesën e sotme, pasi theksohet se Qeveria e Shteteve të Bashkuara e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, bëhet e ditur se “derisa ambasada e SHBA-ve në Prishtinë nuk është marrë me “New Power Generation”, zyrtarë të Departamentit të Shtetit në Uashington, e kanë këshilluar këtë kompani, se Kosova është shtet sovran dhe se Qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi kompleksin e minierave të Trepçës”.

“Departamenti i Shtetit, poashtu, inkurajoi kompaninë “New Power Generation”, që të kontaktoj me Qeverinë e Kosovës direkt për të diskutuar lidhur me investimin, që e ka propozuar”.

Në fund të kumtesës për media, theksohet se “e dijmë se rruga para kompleksit të minierave të Trepçës është sfiduese dhe do të vazhdojmë të rekomandojmë, që investuesit potencialë nga SHBA-të të hulumtojnë tërësisht ndërmarrjen dhe statusin e saj”.

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisarit, Republika e Kosovës do t’i ketë në pronësi të vetë të gjitha ndërmarrjet në Republikën e Kosovës që janë ndërmarrje në pronësi publike.

“Të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me këto të drejta pronësore do të jenë obligime të Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës mund të privatizojë, të japë me koncesion ose të japë me qira ndërmarrjet në pronësi publike në mënyrën e rregulluar me ligj”, thuhet në nenin 160 për ndërmarrjet në pronësi publike të Kushtetutës së Kosovës.

Por, pavarësisht kësaj që thuhet në Kushtetutën e Kosovës, Serbia vazhdimisht ka pretenduar në asetet e Kosovës.

Së fundi, sipas mediave në Beograd, Ministria për Miniera dhe Resurse Natyrore të Serbisë ka nënshkruar një marrëveshje me konsorciumin amerikan “New Power Generation” për bashkëpunimin biznesor dhe teknik në Kombinatin “Trepça”, në veri të Mitrovicës.

Menjëherë pas deklaratave se është arritur një marrëveshje e tillë, autoritetet e Kosovës kanë reaguar, duke thënë se çdo bashkëpunim apo marrëveshje e arritur ndërmjet investitorëve dhe Qeverisë së Serbisë për asetet e Kosovës është e pa ligjshme.

Agjencia Kosovare të Privatizimit është administratori i vetëm i ndërmarrjes shoqërore “Trepça”.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi ka thënë për Radios Evropa e Lirë se kanë kërkuar nga përfaqësuesit e Trepçës që të japin të dhëna për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“AKP ka kërkuar sot zyrtarisht nga përfaqësuesit e Trepçës që të ofrojnë të dhëna zyrtare dhe një qëndrim lidhur me marrëveshjen e nënshkruar, njëkohësisht i kanë njoftuar ata që një marrëveshje e tillë është e pazbatueshme në praktikë dhe e pavlefshme, pasi që është bërë pa aprovimin paraprak të AKP-së dhe panelit të specializuar të Trepçës në kuadër të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, thotë Kaloshi.

Në momentin e pranimit të informacionit zyrtar nga menaxhementi i Trepçës, sqaron Kaloshi, AKP do të ngrisë padi për anulimin e kësaj marrëveshjeje.

Gjiganti metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, është një ndër subjektet më të rëndësishme komerciale në Kosovë.

Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike, kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që të tregohen më të vëmendshëm karshi këtyre marrëveshjeve që Serbia po i arrin.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës po tregojnë neglizhencë përballë marrëveshjeve që Serbia po i arrin. Këto marrëveshje të cilat po bëhen nga Serbia me investitorë potencial, shton profesor Limani, po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës.

“Urgjentisht institucionet e Kosovës duhet ta kenë një takim dhe të reagojnë shumë ashpër ndaj marrëveshjeve që Beogradi po i bën për resurset apo pasurinë e Kosovës. Nuk duhet lejohet të shkelet integriteti apo kushtetutshmëria e Kosovës”, thekson ai

Derisa, përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thonë se Qeveria e Kosovës, përveç autoriteteve të Serbisë që duhet të iu bëjë të qartë se privatizimi i ndërmarrjeve është përgjegjësi e Kosovës dhe jo e Serbisë, këtë duhet ta bëjë edhe për investitorët.

Kosova duhet të iu bëjë të investitorëve potencial të cilët mundohen të ndjekin privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës përmes institucioneve të Serbisë se kjo është e paligjshme. Duhet të ju bëhet e qartë se cili është rreziku i tyre nëse përfshihen në një privatizim të tillë jo ligjorë”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka.

Kohë më parë Qeveria e Serbisë po ashtu kishte ngritur kërkesën për bllokimin e Fondit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Autoritetet e Serbisë ende refuzojnë të njohin subjektivitetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe për këtë arsye, ky shtet tashmë ka privatizuar disa asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në territorin e Serbisë.
XS
SM
MD
LG