Ndërlidhjet

Obama premton ndihmë urgjente për Oklahoman


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka premtuar ndihmën urgjente të qeverisë për viktimat e tornados masiv, që ka goditur qytetin Mur të Oklahomas.

“Si një komb, fokusi ynë do të jetë në punën urgjente të shpëtimit, të rimëkëmbjes dhe të rindërtimit”, ka thënë Obama.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti ka përshkruar stuhinë si një ndër “tornadot më shkatërrues në histori”, ndonëse nuk dihet ende shkalla e plotë e shkatërrimit.

“Për një çast janë shkatërruar lagje. Dhjetëra njerëz kanë humbur jetën. Shumë të tjerë janë plagosur. Në mesin e viktimave ka fëmijë”, ka thënë Obama.

Autoritetet kanë thënë se së paku 24 njerëz janë vrarë nga stuhia, ndërsa dhjëtera të tjerë janë plagosur ose figurojnë të zhdukur.

Raportet e mëhershme kanë folur për më shumë se 90 të vdekur, por është thënë se ato mund të kenë përfshirë raportime të dyfishta të viktimave.

“Kemi lajm të mirë. Numri i viktimave tani për tani është 24”, ka thënë Amy Elliot, nga Zyra e Mjekësisë Ligjore në Oklahoma.

Në mesin e të vrarëve thuhet të jenë edhe fëmijë nën moshën 12-vjeçare.

Obama ka shpallur gjendje të fatkeqësisë në rajon.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka thënë se tornado ka pasur shkallën EF4, që nënkupton kategorinë e dytë më të fuqishme të uraganeve.

Operacionet e kërkimit dhe të shpëtimit janë duke vazhduar. Një i mbijetuar ka thënë se fuqia e stuhisë ka qenë aq e madhe saqë ka shkatërruar dyert e një bodrumi, ku janë strehuar disa banorë.

Ricky Stover ka përshkruar më në detaje situatën:

“Kemi menduar se jemi të vdekur. Kemi qenë brenda në bodrum, me derë të mbyllur, dhe vetëm kur kemi parë tornadon duke ardhur… Copat e qelqit kanë nisur të bien mbi ne dhe, të jem i sinqertë, kemi menduar se jemi të vdekur”, ka thënë banori i qytetit të goditur.

Qendra për Parashikimin e Uraganeve në Shërbimin Kombëtar të Motit ka lëshuar paralajmërimin për qytetin Mur vetëm 16 minuta para se tornado ka goditur të hënën, në orën 15:00, sipas kohës lokale.

Me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë, Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se individët dhe pronarët e bizneseve, të prekur nga tornado, mund të aplikojnë për grante federale, për strehim të përkohshëm dhe riparim të shtëpive, për kredi me kosto të ulët për të mbuluar humbjet e pronave të pasiguruara, si dhe për programe të tjera.

Tornado ka ndjekur rrugën e një stuhie të ngjashme që ka goditur rajonin e njëjtë 14 vjet më parë, përkatësisht në maj të vitit 1999.

Nga kjo fatkeqësi ishin shkatërruar më shumë se 8,000 shtëpi dhe kishin humbur jetën së paku dy persona. (v.tela)


Stuhia në Oklahoma
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:11 0:00
XS
SM
MD
LG