Ndërlidhjet

Procesi zgjedhor dhe reformat e lënduara


Te asnjë faktor, si tek ai vendor, njësoj edhe te ai ndërkombëtar, nuk ka ekzistuar deri më tani, dhe vazhdon të mos ekzistojë vullneti politik për të bërë një reformë zgjedhor.

Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në debatin e organizuar nga Forumi 2015 lidhur me reformën zgjedhore.

Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi se po të kishte një vullnet më të madh nga udhëheqësit e partive kryesore politike dhe po ashtu nga bashkësia ndërkombëtare, reformat do të shkonin drejt rrugës së duhur.

Zgjedhjet e fundit kanë treguar se reforma zgjedhore dhe procesi zgjedhor në Kosovë është i lënduar, dhe i lënduar bukur rëndë. Prandaj është nevoja e një reforme. Por, konsideroj që në Kosovë nuk ka pasur vullnet politik, dhe mënyra se si është arritur marrëveshja pas zgjedhjeve të fundit të lira dhe vet fakti se çka ka prodhuar ato marrëveshje dhe ato zgjedhje është dëshmia më e mirë se në Kosovë nuk ekziston një vullnet politik për të bërë zgjedhje demokratike dhe të lira”,tha Krasniqi.

Ai shtoi se për të pasur një sistem më pak të manipulueshëm, është e domosdoshme ose mbyllja e listave ose zgjedhësi të bëjë vetëm një përzgjedhje.

Nga ana tjetër, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar partinë në pushtet (PDK), duke thënë ka ajo ka manipuluar me zgjedhjet e fundit dhe ka stopuar edhe procesin e reformave.

“Reforma zgjedhore besoj se duhet të konsistojë në administrim më të mirë të procesit, e jo në transformim të legjislacionit për këtë çështje. Mandej do ndryshime që po propozohen qoftë në Komisionin ad-hoc për ndryshime dhe qoftë në këtë forumin joformal të liderëve më shumë shërbehet që të maskohet fakti që nuk është transformimi i ligjit i nevojshëm për të ndalur vjedhjen e zgjedhjeve, por duhet t’i ndalim vjedhësit ata të cilët mbushën kutitë”, tha Kurti.

Reformës zgjedhore i pati parapri një marrëveshje ndërmjet liderëve politikë, e cila më pas u mbështet edhe me një rezolutë të Kuvendit.

Reforma mendohej të shtrihej si në zgjedhjet lokale, parlamentare, ashtu edhe në ato presidenciale.

Lutfi Haziri deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja tha se për shtyrjen përpara të reformave ka munguar vullneti politik.

“Gjithçka është në duart e partive politike. Mekanizmin e ligjit duhet shtrirë drejt, dhe duhet zbatuar sepse qytetarët nuk janë abuzues. Ne mundemi vetëm të nxjerrim dhe të nënvizojmë probleme të tilla, por individë të caktuar, grupe të caktuara e kanë bërë fushatën zgjedhore dhe zgjedhjet korrje-shirje”, tha Haziri.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Ardian Gjini, tha se Kosova ka nevojë të madhe për reforma zgjedhore, andaj sipas tij, zgjedhjet mund të dështojnë për shkak të partive politike, por demokracia nuk mund të dështojë për shkak të tyre.

Kurse, lidhur me keqpërdorimin e votave në zgjedhjet e kaluara, ai tha:

Ne po flasim se të gjithë kanë vjedhur, më falni që po e përdori edhe këtë fjalë. Sipas të gjitha gjasave, është e vërtetë se kanë vjedhur, por dikush ka humbur, e dikush dikujt i ka vjedhur. Nëse të gjithë do të kishin vjedhur barazi, rezultati do te ishte i njëjtë”, tha Gjini.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasnqi, duke komentuar zgjedhjet e fundit të vitit 2010 u shpreh:

“Unë mendoj se kanë vjedhur të gjithë, secili ka vjedhur sipas një fuqie që e ka pasur. Por, unë konsideroj që vjedhja është vjedhje, si ai që ka vjedhur shumë si ai që ka vjedhur me pak”, tha Krasniqi.

Në kuadër të reformave, parashihej që në të ardhmen, presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Por, edhe kjo pjesë e reformave, që binte në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, tashmë ka mbetur e parealizuar dhe se liderët sikur janë pajtuar që Kuvendi të jetë ai që do të zgjedhë presidentin edhe në të ardhmen.

Zgjedhjet lokale, të cilat parashihet të mbahen gjatë vjeshtës, do të jenë sërish një sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi që edhe ky proces do të mbahet pa ndryshimet në ligjin përkatës.

Ndryshe në analizën e Forumit 2015 “Top problemet zgjedhore”, mes tjerash thuhet se zgjedhjet rregullohen me anë të Kushtetutës, Ligjit për zgjedhjet si dhe përmes legjislacionit sekondar nga KQZ-ja.

Sipas analizës. legjislacioni aktual për zgjedhje është i papranueshëm dhe dështon në rregullimin e një numri çështjesh të rëndësishme.
XS
SM
MD
LG