Ndërlidhjet

Lufta mes Kishës Ortodokse dhe qeverive sekulare në Evropën Lindore


Shumë u tronditën më 17 maj kur e panë një grup me veshje të zeza të klerikëve ortodoksë, që drejtuan një turmë të zemëruar për të sulmuar një tubim mbi të drejtat e homoseksualëve në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi.

Edhe pse hierarkia zyrtare ortodokse në Gjeorgji denoncoi dhunën që la 17 të plagosur, patriarku gjeorgjian Illia II iu ka bërë thirrje autoriteteve një ditë më herët, që të ndalojnë protestën sepse ajo ishte një “fyerje” ndaj traditave gjeorgjiane.

Anembanë Evropës Lindore, shoqëritë e tilla si Gjeorgjia, Rusia, Serbia dhe Moldavia që po shkojnë, secila në mënyrën e vet, drejt modernizimit dhe reformimit dhe drejt lëvizjeve për të mbështetur të drejtat e grave, minoriteteve etnike, homoseksualëve dhe lesbikeve, janë duke bërë përparime të papara.

Zaza Davitaia është një nga gjeorgjianët, që iu ka përgjigjur thirrjeve të klerikëve ortodoksë dhe ka marrë pjesë në tubimin kundër të drejtave të homoseksualëve.

“Kam dhënë mbështetjen për ata që janë mbledhur atje. Ne jemi kundër një tubimi që bie ndesh me moralin dhe traditat e Gjeorgjisë. Ata kanë marrë mbështetje financiare nga disa organizata nga jashtë dhe dëshirojnë që të mbajnë një demonstratë kundër moraleve të Gjeorgjisë”, u shpreh Davitaia.

Një situatë e ngjashme, edhe pse më pak dramatike ka ngjarë në këtë muaj në Beograd.

Rreth 3 mijë njerëz janë mbledhur më 10 maj për të protestuar kundër marrëveshjes për normalizim raportesh me Kosovën, të cilën nacionalistët e shohin si pjesë të shtetit të tyre.

Protesta është organizuar nga dy peshkopë ortodoksë konservativë, edhe pse Patriarku Irinej e ka distancuar veten nga ky veprim.

Një nga organizatorët , peshkopi Atanasije, iu tha protestuesve se kryeministri serb Ivica Daçiq rrezikon ta ketë fatin e kryeministrit pro-evropian Zoran Gjinigjiq, i cili u vra në vitin 2003 nga ultranacionalistët që kundërshtojnë reformat e tij.

Kryeministri ka folur në lidhje me atë se si ai është për politika realiste, por vetëm për një Serbi sekulare. Ai nuk është i interesuar në një Serbi hyjnore. Fatkeqësisht këtë e thoshte edhe Gjingjiqi. Dhe e dimë se si përfundoi. Por, do ta lëmë që për këtë të gjykojë Zotoi. Nuk ka Serbi sekulare pa atë hyjnore”, u shpreh Atanasije.

Ai pastaj e tha një “lutje për prehje” për Daçiqin dhe qeverinë- një lëvizje shokuese, pasi që riti performohet vetëm për të vdekurit.

Ngjashëm klerikët konservativë në Moldavi kanë luftuar kundër elementeve kyçe të përpjekjeve të vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe një ligj të fundit që pengon diskriminimin në bazë të orientimit seksual, në mes të gjërave të tjera.

Një klerik i shquar konservativ e ka dënuar atë që e ka quajtur “sodomizmi” i Moldavisë.

Geraldine Fagan, një korrespondente e agjencisë që fokusohet në lajme religjioze, Forum 18 dhe autore e librit të ri, “Të besosh në Rusi: Politika Fetare pas komunizmit”, thotë se nacionalizmi fetar, edhe pse i dënuar si herezi e shekullit të 19-të, është themeli i kulturave ortodokse.

Në shumë raste, kishat ortodokse kanë qenë të një grupi të vetëm etnik dhe kjo ka cuar në ngritjen e shteteve kombe”, i tha ajo RFE/RL-së në një intervistë përmes postës elektronike.

“Ekziston një kuptim këmbëngulës në vendet e botës ortodokse se siguria kombëtare varet në një formë thelbësore- madje mistike, në mënyrën që një komb të mbetet ortodoks.”

Gjithashtu, Beka Mindiashvili, një studiues fetar me seli në Tbilisi, ka vërejtur një tendosje anti-perëndimore në predikimin e shumë klerikëve ortodoksë, të cilët, siç thotë ai kritikojnë perëndimin se kanë “përgatitur rrugën për Antikrishtin, për shkak se ata janë denacionalizuar.”

Për të qenë të sigurt, religjionet më të organizuara, kanë provuar historikisht që të mbrojnë ato, që i konsiderojnë vlera tradicionale dhe themelore kundër rrymave të modernizimit. Por, askush në Evropë nuk është aq agresiv sesa krishterimi ortodoks.

Për më tepër, ndryshe nga në Perëndimi laik, kishat ortodokse janë tradicionalisht me rehat në marrëdhënie të ngushta me qeveritë autokratike, për sa kohë që ata t'i përmbahen formalisht Ortodoksërisë. Në rastet si Rusia, perceptimi i përbashkët se bota e jashtme është armiqësore dhe keqdashëse ka provuar një bazë solide për bashkëpunimin mes Kishës dhe shtetit.

Muajin e kaluar, derisa qeveria e presidentit Vladimir Putin, i ka etiketuar organizatat joqeveritare si “agjentë të huaj”, patriarku Kirill lëshoi një deklaratë që e përshkruan feminizmin si “shumë të rrezikshëm.”

Gratë duhet të jenë “të fokusuara brenda” tha ai, duke shtuar se nëse nuk janë, atëherë çdo gjë do të shkatërrohet - familja dhe,në qoftë se ju dëshironi, edhe atdheu”.

Gazetarja Fagan thotë se në rastet kur qeveria shkon shumë larg drejt autoritarizmit, marrëdhëniet e ngushta të kishës me autoritetet mund të minojnë autoritetin e saj dhe kredibilitetin moral. Kjo po ndodh tani në Bjellorusi, thotë ajo.

Për krahasim, fenomeni i kishave ortodokse, bashkëjetuese me qeveritë laike demokratike - diçka thelbësore në Perëndim - është një risi në të gjithë rajonin.
Analisti me seli në Chisinau të Rumanisë, Igor Botan thotë se procesi i negocimit të kësaj risie është një aspekt thelbësor i politikave të tanishme socio-politike moldave.

Ajo që ne shohim sot në Moldavi, që është një shtet laik, është kisha ajo që rregullisht deklaron pozicionin para besimtarëve. Nga ana tjetër, ka pasur presion (nga shteti) që kisha të mbetet jashtë politikës. Dhe në një masë të caktuar, kisha ka tentuar ta bëjë këtë”, u shpreh Botan.

Në Gjeorgji dhe në Serbi, qeveritë po ngrihen kundër elementeve konservatore të kishave. Kryeministri gjeorgjian Bidzina Ivanishvili tha më 14 maj se minoritetet seksuale ekzistojnë në Gjeorgji, kanë të drejtat e tyre dhe se shoqëria “gradualisht do të mësohet me këtë”.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq tha se deklaratat e bëra nga kleri ortodoks më 10 maj në demonstratën në Beograd, kanë qenë plotësisht “të papërshtatshme” dhe tha se ata po silleshin “si në kohën e inkuizicionit”.

Lufta në mes të qeverive sekulare dhe elementeve konservative ortodokse në Evropën Lindore mund të jetë e gjatë. Megjithatë, shembujt si në Greqi, Qipro, Rumani dhe Bullgari tregojnë se Ortodoksia dhe integrimi evropian nuk janë domosdoshmërish të papërputhshëm.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG