Ndërlidhjet

Sindikatat, servile të Qeverisë


Ilustrim
Ilustrim
Të drejtat e punëtorëve në Kosovë për vite janë nëpërkëmbur dhe ato kryesisht janë në mëshirën e punëdhënësit. Kjo ndodh për faktin se ata nuk kanë avokat, nuk kanë mbrojtës në kuptimin e asaj se ata nuk e kanë një sindikatë, e cila do të qëndronte karshi kërkesave dhe të drejtave që i takojnë punëtorit.

Sindikalistë në Kosovë, të cilët për mision kanë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, nuk po arrijnë ta përmbushin këtë obligim të tyre edhe për faktin se ata për vite me radhë kanë shkaktuar përçarje mes vete dhe janë treguar të pazot karshi mbrojtjes së interesave të punëtorëve.

Këso vlerësimesh japin për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe sociologë në Prishtinë, të cilët, përveç tjerash, sindikatat në Kosovë i quajnë të politizuara.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se përçarjet në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës datojnë që moti dhe prapavija e tyre nuk qëndron tek aspektet programore, te qasja ndaj ligjit apo të drejtës, por kryesisht mbështeten mbi aspiratat karrieriste të disa liderëve sindikalë.

Përçarjet në këtë mekanizëm kanë ndikuar që punëtorët të jenë krejtësisht të pambrojtur në aspektin sindikal, për shembull kur ka qenë çështja te privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, me ç’rast 70 mijë veta kanë humbur vendet e punës, ose kur në sektorin privat një numër i madh i punëtorëve punon pa kontrata pune dhe për këtë çështje BSPK-ja nuk ka zë, nuk ka fuqi dhe prapa saj nuk qëndron një anëtarësi që ajo të jetë partnere e denjë në ballafaqim me Qeverinë dhe punëdhënësit tjerë”, thotë Rexhepi.

Kriza në Bashkimin e Sindikatave të Kosovës ishte thelluar në kongresin e pestë zgjedhor në vitin 2011, kur delegatët e kongresit kishin shkarkuar nga detyra kreun e këtij mekanizmi, Haxhi Arifaj, dhe kishin përkrahur për kryetar Ali Shabanaj, ish- kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Por, Arifi nuk kishte pranuar të largohet nga detyra, duke e vlerësuar jo-legjitim shkarkimin e tij.

Ndërkaq, një dorëheqje e Arifajt është kërkuar të bëhet edhe tani nga sindikatat e punëtorëve të arsimit, policisë, metalistëve, shëndetësisë dhe administratës. Por pavarësisht kësaj, Haxhi Arifaj nuk pranon të larohet nga pozita e kryetarit të BSPK-së.

Sociologu, Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, situatën e krijuar në sindikatë e quan paradoksale dhe të politizuar.
Në sindikatë ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të politikës zyrtare dhe ajo ka ndikuar që të përçahen sindikalistët.

“Në sindikatë ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të politikës zyrtare dhe ajo ka ndikuar që të përçahen sindikalistët. Do të thotë formohen grupe të veçanta brenda sindikatës në përgjithësi dhe udhëheqësit e atyre grupeve janë të ndërlidhur me zyrtarë qeveritarë, të cilët aktualisht nuk kanë interes të funksionojë sindikata si sindikatë unike për mbrojtjen e interesave të punëtorëve”, vlerëson Reçica.

Për të dalë nga kjo situatë e krijuar në BSPK, Reçica sugjeron që të largohet e gjithë udhëheqja e deritashme e sindikatave të punëtorëve.

“E mira do të ishte që të bëhet një organizim i ri kualitativ brenda sindikatës dhe të dalin njerëz të rinj, por është shumë vështirë të bëhet kjo, pasi që jo vetëm te sindikatat, por edhe tek organizatat tjera ka ndikim të madh politika”, shton Reçica.

Ndërsa, Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale konsideron se sindikatat duhet ta konsolidojnë veten, me qëllim të faktorizimit të tyre.

“Sindikatat nuk duhet të presin që të ndërhyjë shteti apo dikush nga anash, por duhet ta konsolidojnë vetveten me qëllim të faktorizimit të tyre dhe njëkohësisht ky konsolidim i tyre iu mundëson ndërtimin e raporteve të ngushta me sindikatat ndërkombëtare, të cilat edhe asaj i japin fuqi edhe kur është fjala për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, thekson Rexhepi.
XS
SM
MD
LG