Ndërlidhjet

EULEX-i: Rrezik nga ndikimi në dëshmitarë


Policia e EULEX-it
Policia e EULEX-it
Misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX ka konfirmuar të shtunën arrestimin e shtatë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën dyshimet për krime lufte.

“Një panel i gjykatësve të EULEX-it dhe atyre të Kosovës në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ka modifikuar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke ndryshuar masën e arrestit shtëpiak në paraburgim kundër shtatë të dyshuarve për krime lufte ndaj popullatës civile”, thuhet në njoftimin e misionit të BE-së.

Po sipas tij, paneli ka pranuar apelin e prokurorit special dhe ka hedhur poshtë ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve.

“Arsyeja kryesore për caktimin e paraburgimit është rreziku për pengimin e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë arrestuar shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së në orët e vona të së premtes.

Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli ndodheshin në arrest shtëpiak qysh më 25 maj, me vendim të Gjykatës së Apelit.

Sami Lushtaku është edhe kryetar i Komunës së Skënderajt, ndërsa Sylejman Selimi mban postin e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri.

Avokati i këtij të fundit, Tomë Gashi, ka konfirmuar po ashtu për Radion Evropa e Lirë se arrestimet janë bërë në shtëpitë e të dyshuarve të premten në mbrëmje.

“Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim mbi ankesën e prokurorit, me të cilin ka ndryshuar masën e arrestit shtëpiak me masë të paraburgimit. Paraburgimi do të zgjasë deri më 24 qershor të këtij viti”, ka bërë të ditur Gashi.

Ai po ashtu ka thënë se do të apelojë këtë vendim të hënën në Gjykatën Supreme.

Të dyshuarit janë arrestuar fillimisht më 23 maj, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Komunale të Mitrovicës.

Individët është thënë se hetohen për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve, të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc, Komuna e Skënderajt. Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte.

Sipas avokatëve, prokurori ka përmendur se për këtë rast mund t’i ketë 6 dëshmitarë. (v.tela)
XS
SM
MD
LG