Ndërlidhjet

Erdogan sfidon protestuesit, pavarësisht trazirave


Policia dhe protestuesit përleshen në Turqi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Policia dhe protestuesit përleshen në Turqi

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të vazhdojë planet për zhvillimin e Sheshit Taksim të Stambollit, me gjithë protestat e dhunshme që ka shkaktuar projekti kontravers.

Projekti i diskutueshëm do të prishte një park në sheshin Taksim dhe do ta zëvendësonte atë me një qendër tregtare.

Kundërshtarët thonë se Parku “Gezi” është një nga hapësirat e pakta të gjelbra që kanë mbetur në qendër të Stambollit.

Erdogan ka thënë se nuk do të dorëzohet ndaj “ekstremistëve të egër” dhe u ka bërë thirrje protestuesve që të ndalojnë demonstratat menjëherë.

“Policia ka qenë në Sheshin Taksim dje, do të jetë sot, do të jetë edhe nesër, sepse Sheshi Taksim nuk mund të jetë një zonë, ku ekstremistët egërsohen”, ka thënë Erdogan.

Ai po ashtu ka akuzuar protestuesit se përdorin çështjen si justifikim për të krijuar tensione.

“Të gjitha përpjekjet jashtë kutive të votimit nuk janë demokratike”, ka thënë Erdogan, duke shtuar se ai mund të mbledhë një milion protestues pro-qeveritarë nëse do një gjë të tillë.

Policia ka përdorur të shtunën gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë bërë thirrje për dorëheqjen e Erdoganit, si dhe përpjekje për të arritur në sheshin Taksim.

Në Ankara ka pasur po ashtu përplasje të policisë me protestuesit që marshonin para ndërtesës së parlamentit.

Trazirat në Stamboll kanë nisur qysh të premten, për t’u shpërndarë pastaj në Ankara dhe Izmir.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuara me trajtimin e protestave në Turqi. Ngjashëm edhe organizata “Amnesty International”, e cila ka thënë se është e brengosur me “përdorimin e tepruar të forcës nga ana e policisë”.
Korrespondentët thonë se çështja lokale ka rrëshqitur në zemërim më të gjerë mbi “islamizmin” e perceptuar.

Erdogan ka qenë në pushtet qysh në vitin 2002 dhe shumë në Turqi janë ankuar se qeveria e tij është duke u bërë gjithnjë e më autoritare.

Partia e tij i ka rrënjët në Islamin politik, por Erdogan thotë se është i angazhuar për një shtet sekular.(v.tela)
XS
SM
MD
LG