Ndërlidhjet

Pesë ditë protesta në Turqi: Konfirmohen dy të vrarë


Vazhdojnë protestat në Stamboll
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:08 0:00

Vazhdojnë protestat në Stamboll

Shpërthime nga distanca, protestues, topa uji, gaz lotsjellës... Këto pamje sheh bota për të pestën ditë me radhë në qytetet më të mëdha të Turqisë.

Autoritetet në Antakia kanë konfirmuar vdekjen e dytë në mesin e protestuesve.

Trazirat kanë nisur më 31 maj, pasi policia ka goditur një protestë paqësore, e cila kundërshtonte një projekt ndërtimi në Sheshin Taksim të Stambollit.

Protestat më pas janë përhapur në qytete të tjera, me thirrje të shumta për dorëheqjen e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan.

Demonstrusve sot u është bashkuar edhe Konfederata e Sindikatave të Punonjësve Publikë, e cila përfaqëson rreth 240,000 punëtorë. Ajo ka akuzuar qeverinë për kryerjen e terrorit shtetëror.

Përkundër kësaj, kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka hedhur poshtë kërkesat për të dhënë dorëheqje, ndërsa për trazirat në vend ka fajësuar ekstremistët dhe forcat politike të opozitës.

Në komentet nga Maroku, ai ka parashikuar se situata së shpejti do të qetësohet.

Ai ka thënë se protestat nuk kanë të bëjnë me ruajtjen e drunjve, por janë pjesë e provokimeve të kundërshtarëve.

Ngjarjet në Turqi nuk kanë të bëjnë asgjë me prerjen e drunjve apo renovimin e parkut. Ata që kanë humbur në zgjedhje, janë prapa tyre dhe përdorin rrugë të ndryshme. Demonstratat nuk janë zhvilluar në secilin qytet. Situata është më e qetë tani dhe njerëzit kanë nisur të përdorin sensin. Para se të kthehem në Turqi, atje do të ketë qetësi”, ka thënë Erdogan.

Më i gatshëm për kompromis është shprehur presidenti i shtetit, Abdullah Gul, i cili ka siguruar protestuesit se kërkesat e tyre do të dëgjohen.

Zëvendëskryeministri Bulent Arinc raportohet të ketë kërkuar falje për “agresionin e policisë kundër qytetarëve të përfshirë në protestat fillestare”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje autoriteteve turke që të tregojnë vetëpërmbajtje në trajtimin e demonstratave, në të cilat janë plagosur qindra protestues dhe policë.

Jemi të shqetësuar me raportet e përdorimit të tepruar të forcës nga ana e policisë. Shpresojmë se do të ketë hetim të plotë të këtyre incidenteve dhe përmbajtje të plotë nga forcat e policisë. U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve të përfshirë, edhe atyre që protestojnë dhe shprehin lirinë e tyre të shprehjes, edhe atyre në qeveri, që të shmangin çdo provokim të dhunës”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Këmbimoret kryesore në Turqi kanë rënë për 10.5 për qind, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve në lidhje me efektin destabilizues të demonstratave.

Protestuesit akuzojnë Erdoganin dhe partinë e tij me rrënjë islamike se po bëhen gjithnjë e më autoritarë.

Disa kritikë thonë se ai bën përpjekje të imponojë qëndrimin e tij konservator dhe fetar në jetët e turqve laikë. Qeveria e tij, së fundmi, ka mbështetur legjislacionin, i cili frenon shitjen e alkoolit.

Erdogan po ashtu përballet me kritika për mbështetjen e rebelëve sunitë në Sirinë fqinje. Disa turq, madje, shqetësohen se vendi mund të ngatërrohet në luftën e Sirisë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG