Ndërlidhjet

Pengesat në marrjen e vizave


Ilustrim
Ilustrim
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjim të vizave. E, kosovarët kanë shumë vështirësi të marrin viza. Andaj, kjo ua pamundëson lëvizjen e lirë.

Qytetarët thonë se mungesa e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, paraqet pengesën kryesore për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Njëri nga ta është Mentor Lama, i cili pas shumë përpjekjeve për ta marrë një vizë në Ambasadën Gjermane, ka dështuar.

"Kam aplikuar për vizë. Më janë kërkuar 100 dokumente dhe në fund më kanë refuzuar. Edhe pagesën që ia kam bërë ambasadës, nuk ma kanë kompensuar, pas refuzimit të vizës. E, ambasada nuk ma ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me refuzimi që më ka bërë, edhe pse, sipas meje, gjithë dokumentacionin e kam pasur në rregull", tregon përvojën e tij Mentor Lama.

Viti 2013 fillimisht ka qenë i proklamuar nga Qeveria e Kosovës si vit i liberalizimit të vizave dhe ky vit nuk do të jetë ai viti i liberalizimit. Por, sipas zyrtarëve në organizata joqeveritare, që merren me çështjen e liberalizimit të vizave, Kosova edhe më tej do të mbetet si vendi më i izoluar në Evropë sa i përket qarkullimit të lirë në zonën Shengen.

Jo vetëm qytetarëve që dëshirojnë të vizitojnë shtetet e Bashkimit Evropian kanë vështirësi të marrin viza. Vizat u refuzohen madje edhe mjekëve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në seminare të ndryshme shkencore. Rasti i fundit është me shtatë anesteziologët e Kosovës, të cilët janë refuzuar nga shteti i Spanjës.

Islam Krasniqi, kryetar i Shoqatës së Anesteziologëve, jep më shumë hollësi:

"Çdo sferë e shoqërisë për të udhëtuar jashtë shtetit është e privuar nga kjo e drejtë. Ka shumë faktorë, liberalizimi i vizave dhe çështja financiare. Ne, si anesteziologë kemi çdo vit Konferencën Evropiane të anestezionit, ku jemi anëtarë të rregullt në kryesi dhe komitetet dhe subkomitetet e tyre".

"Këtë vit kemi pasur konferencën në Barcelonë, për të ndjekur më të rejat e shkencës së anestezionit, por për shkak të vizave nuk kemi mundur të jemi pjesë e kësaj konference. Ambasada e Spanjës në Shkup nuk ka dhënë përgjigje deri atëherë kur edhe ka filluar konferenca, e deri te kthimi i përgjigjes negative".


Krasniqi shton se anesteziologët kosovarë kanë paguar paraprakisht shumën prej 600 eurosh për pjesëmarrjen në konferencë, si kusht dhe dëshmi Ambasadës së Spanjës se do të jenë pjesë e asaj konference. Por, megjithëkëtë, anesteziologët kosovarë nuk kanë udhëtuar drejt shtetit spanjoll.

"Anesteziologët, e kanë bërë pagesën për konferencë, sepse kur aplikon për vizë, duhet të dëshmosh se ku po shkon dhe pse po shkon. Pa e paguar konferencën, nuk mund ta marrësh ftesën, andaj është një proces i lodhshëm. Gjithashtu, edhe një mori dokumentesh tjera për të dëshmuar se kush je", shpjegon Krasniqi.

Në raportin e fundit, Komisioni Evropian i kërkon Kosovës që të bëjë hapa konkretë në luftimin e dukurive negative në mënyrë që të ecë drejt liberalizimit.

Po ashtu, përmendet si pengesë në këtë proces edhe migrimi ilegal, reformat në drejtësi dhe çështje tjera që ndërlidhen edhe me legjislacionin.

Pavarësisht kësaj, në tre vjetët e fundit, mbi 217 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza dhe kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro për pagesa në ambasada të ndryshme.
Sipas një hulumtimi që ka bërë instituti "GAP", më shumë se 17 për qind e aplikuesve për viza refuzohen nga ambasada të ndryshme, duke mos iu kthyer të hollat që paguhen.
XS
SM
MD
LG