Ndërlidhjet

Si funksionojnë programet e mbikëqyrjes të SHBA-së?


Javën e kaluar, raportet kanë zbuluar programe sekrete të mbikëqyrjes të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të cilat mbledhin, ruajnë dhe analizojnë miliarda regjistrime telefonike dhe të internetit, brenda dhe jashtë SHBA-së.

Informacioni është përhapur në media nga Edward Snowden, një amerikan 29-vjeçar, i cili ka punuar si kontraktor për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së dhe CIA-n. Zyrtarët amerikanë thonë se mbledhja e të dhënave në një shkallë kaq të gjerë është e dobishme në luftën kundër terrorizmit. Por, grupet e të drejtave thonë se ajo shkel liritë civile.

Raportet e mediave, të cilat bazohen në dokumentet që kanë rrjedhur nga ish-punonjësi i CIA-s, Edward Snowden, flasin për mbledhjen e dy llojeve të ndryshme të të dhënave - të dhëna telefonike dhe të dhëna të internetit. Si mund të jetë bërë mbledhja e këtyre informacioneve?

Në rastin e regjistrimeve telefonike, Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka marrë miratimin ligjor nga një gjykatë speciale e Shteteve të Bashkuara - e formuar sipas Ligjit për përgjime të vitit 1978 (Foreign Intelligence Surveillance Act) - për t’i kërkuar kompanisë amerikane të telekomit Verizon, që të dorëzojë regjistrimet e thirrjeve telefonike brenda, për dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Regjistrimet përfshijnë numrat e secilës thirrje, lokacionin dhe kohëzgjatjen e tyre - jo të dhëna të asaj që është thënë, të cilat do të kërkonin urdhër të gjykatës.

Në rastin e regjistrimeve të internetit, Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka përgjuar direkt serverët e disa kompanive online, në mesin e tyre: Facebook, Google, Microsoft dhe Yahoo.

Drejtori i inteligjencës kombëtare të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, ka thënë se mbledhja e të dhënave është e ligjshme në bazë të Ligjit për përgjime. Të gjitha kompanitë mohojnë se kanë lejuar me vetëdije qeverinë që të hyjë në serverët e tyre.

Mbikëqyrja e të dhënave në internet thuhet se është bërë përmes një programi sekret të mbikëqyrjes, i koduar si PRISM. Çfarë është PRISM dhe si funksionon?

PRISM besohet se monitoron emailet, bisedat me pamje dhe me zë, videot, fotografitë, trasnferimet e dokumenteve dhe detaje të aktiviteteve në mediat sociale. Zyrtarët amerikanë thonë se PRISM i lejon Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe agjencive të tjera të ndjekin komunikimet e shtetasve të huaj, të cilët dyshohen për terrorizëm.

PRISM është prezantuar për herë të parë në vitin 2007, në kuadër të ndryshimeve të Ligjit amerikan të mbikëqyrjes, të miratuara gjatë presidencës së George W. Bushit, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001. Ai është rinovuar vitin e kaluar nën presidentin Barack Obama dhe ekzistenca e tij është zbuluar për herë të parë nga mediat javën e kaluar.

PRISM është program i mbledhjes së të dhënave dhe në këtë kuptim ndryshon thelbësisht nga një mjet tjetër i mbikëqyrjes, i cili përdoret nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë dhe quhet “Informuesi i Pakufishëm” (Boundless Informant).

Çfarë është Informuesi i Pakufishëm?

Derisa PRISM ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave, Informuesi i Pakufishëm organizon dhe harton të dhënat e komunikimeve. Sipas informacioneve që kanë rrjedhur në mediat britanike, specialistët, përgjegjës për Informuesin e Pakufishëm, kanë thënë se gjatë një periudhe prej 30 ditësh në mars, janë mbledhur pothuajse tre miliardë informacione të inteligjencës vetëm nga rrjetet kompjuterike të SHBA-së.

Rreth 100 miliardë të tjera kanë ardhur nga jashtë shtetit. Programi ofron hartën e koduar me ngjyra, bazuar në informacionet e inteligjencës, të mbledhura në secilin vend.

Cilat janë vendet më të spinuara bazuar në Informuesin e Pakufishëm?

Në hartë kryeson armiku i SHBA-së, Irani, me më shumë se 14 miliardë informacione të inteligjencës, të mbledhura në muajin mars. Ai ndiqet nga Pakistani, Jordania, Egjipti dhe India.

Çfarë reagimi politik ka shkaktuar skandali, si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe jashtë?

Presidenti Obama ka mbrojtur metodat, duke i përshkruar si mjet thelbësor në kundër-terrorizëm. Obama po ashtu ka thënë se programet janë të ligjshme dhe i nënshtrohen mbikëqyrjes së Kongresit. Ai ka siguruar amerikanët më 7 qershor se “askush nuk dëgjon” thirrjet e tyre telefonike.

Reagimi ka qenë më i zëshëm jashtë Shteteve të Bashkuara. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se do të ngrejë çështjet e përgjimit të komunikimeve evropiane kur të takohet me Obamën në Berlin, javën e ardhshme.

Në Bruksel, zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë po ashtu se do të bëjnë pyetje për ndikimin e programeve të tilla në privatësinë e shtetasve evropianë, gjatë samitit transatlantik në Dublin, më 13 qershor.

Në Britani, sekretari i jashtëm, William Hague, ka anuluar vizitën në Uashington për t’iu adresuar parlamentit më 10 qershor. Ai ka mohuar akuzat se agjencia britanike e mbikëqyrjes, GCHQ, ka përdorur informacionin e siguruar nga Shtetet e Bashkuara për të spiunuar shtetasit britanikë. Akuzat e tilla, Hague i ka quajtur të pabaza.(v.tela)

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG