Ndërlidhjet

Shqipëri: Garë e barabartë zgjedhore


Tiranë...
Tiranë...
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, analistët hedhin dritë mbi produktin e pas 23 qershorit, nëse sistemi zgjedhor proporcional rajonal, që testohet për herë të dytë në një garë elektorale të përgjithshme, do të ofrojë një qeverisje të qëndrueshme.

Analisti Artur Zheji thotë se edhe në këtë përballje faktor përcaktues do të jetë forca e tretë politike LSI-ja.

"Sipas të gjitha gjasave dhe projeksioneve të exit-polleve, apo sondazheve të cilat mund të merren edhe me rezervat e tyre, por rrahin në një pikë. Rezultati PD, PS është pothuajse i barabartë qark pas qarku. Të gjitha sondazhet, projeksionet dhe exit-pollet, nxjerrin përsëri LSI-në si një faktor, koalicioni me të cilin siguron mundësinë e qeverisjes. Pra kemi një Meta-faktor edhe në këto zgjedhje sipas projeksioneve dhe sipas një perceptimi të përgjithësuar", thotë Zheji.

Zheji, nuk e sheh këtë si premisë për të aluduar për qeverisje të brishtë pas 2013.

Më shumë se produkt të sistemit zgjedhor ai e sheh si produkt të votës së shqiptarëve, mënyrës që ata përzgjedhin për t’u vetëqeverisur.

"Unë mendoj që populli shqiptar ka një votë inteligjente. Ai nuk lejon asnjë nga partitë e mëdha të cilat të kenë një diferencë mbytëse, asfikësuese që pastaj sjell si derivat një vetëkënaqësi qeverisëse që shkon në drejtim të arrogancës të një force politike. Në këtë kontekst mendoj se të dyja forcat politike kanë në krye të tyre vërtet personazhe karizmatikë, vërtet personazhe që marrin, thithin vota dhe konsensus".

"Por nëse do të kishim kryeministra të pakushtëzuar nga një forcë e tretë apo qoftë edhe një forcë e katërt, do të ishin kryeministra që do të krijonin probleme me autoritarizmin e tyre", shprehet Zheji.

Por analisti Aleksandër Cipa, ka një tjetër opinion kur thotë se ky sistem imponon një qeverisje të brishtë.

Dhe kjo për Cipën është një faktor ndëshkues kryesisht për procesin e reformave që i duhet të ndërmarrë qeveria e re, që do të varen sigurisht nga numrat.

"Çështja tjetër që lidhet pikërisht me këtë skepticizëm që ka në opinionin publik për paqëndrueshmërinë e qeverisjes që prodhon ky sistem, lidhet me elementet e tjera që janë rritja e korrupsionit dhe pafuqia e institucioneve shtetërore për ta luftuar atë, apo qoftë edhe për ta mposhtur atë".

"Problematikat e raportet midis pushteteve që formësojnë shtyllat e demokracisë dhe këtu kam parasysh autoritetin e padiskutueshëm që aktualisht ka ekzekutivi mbi drejtësinë, mbi legjislativin, mbi mediat në përgjithësi dhe mbi pushtetet e tjera. Në këtë pikëpamje ky pushtet nuk e garanton, madje sipas arsyetimit tim ky sistem është një deviacion i hapur dhe flagrant ndaj disa prej principeve që burojnë në demokracinë institucionale", thekson Cipa.

Cipa bie dakord me konstatimin se sistemi rrit në mënyrë artificiale potencën e çdo mandati deputeti, për shkak të rrezikut permanent të trafikut të votës, gjë që pas 2009 u shndërrua në fenomenin më të ndeshur në kuvend.

"Në rrezikun e një trafikimi që mund të ekzistojë midis partive që do të zënë vend në parlamentin e ri, që do të thotë se disa prej deputetëve, natyrisht mbi bazën e një oferte që mund të servohet nga pala tjetër, siç ka ndodhur respektivisht edhe në mandatin e kaluar, mund të lenë forcën e tyre nga e cila kanë marrë mandatin e deputetit dhe të kalojnë në një forcë tjetër dhe ligji nuk e ndalon".

"Dhe natyrisht as kjo shpërfillje e vullnetit të sovranit mbi bazën e të cilit ata kanë marrë votën nuk ndikon mbi aktin politik të lëvizjes apo të trafikimit që mund të realizohet brenda parlamentit nga njëri spektër në spektrin tjetër", bën të ditur Cipa.

Në 23 qershor shqiptarët do të zgjedhin mes 66 partive në garë, 62 nga të cilat të grupuara në dy koalicione të mëdha, që udhëhiqen respektivisht nga PD dhe ajo P S.

Gara mendohet të jetë ndër të fortat, pasi rezultati i zgjedhjeve do të jetë përcaktues dhe për shumë zhvillimeve brenda dy partive të mëdha.
XS
SM
MD
LG