Ndërlidhjet

Barack Obama zotohet se do të kapë Snowdenin


SHBA i bën thirrje Moskës për ta dëbuar Snowdenin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:51 0:00

SHBA i bën thirrje Moskës për ta dëbuar Snowdenin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, është zotuar se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të kapur kontraktorin e arratisur të inteligjencës, Edward Snowden.

“Ajo që ne dimë është se jemi duke ndjekur të gjitha kanalet e duhura dhe ligjore, si dhe duke punuar me vende të ndryshme për të siguruar zbatimin e ligjit”, ka thënë Obama.

Snowden ka nxjerrë detaje për programet e mbikëqyrjes të SHBA-së, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë ndihmuar në parandalimin e dhjetëra komploteve terroriste. Programet përfshijnë monitorimin e komunikimeve përmes internetit dhe telefonit.

Vendndodhja e Snowdenit mbetet e paqartë.

Të dielën, ai ka udhëtuar nga Hong Kongu për në Moskë, pavarësisht kërkesës për ekstradim nga Uashingtoni.

Të hënën, është pritur të udhëtojë drejt Kubës, por është raportuar se nuk ka qenë në fluturimin e planifikuar drejt Havanas.

Julian Assange, themeluesi i ueb-faqes WikiLeaks, i cili po ndihmon Snowdenin, ka thënë se ish-kontraktori i inteligjencës amerikane ka lënë Moskën, për të udhëtuar drejt Ekuadorit, ku do të kërkojë azil.

Assange ka thënë se Snowden është në gjendje të mirë shëndetësore dhe në vend të sigurt, por nuk ka thënë se ku ndodhet tani.

Shtëpia e Bardhë, megjithatë, ka shfaqur bindjen se Snowden vazhdon të jetë në Moskë.

Zëdhënësi James Carney i ka bërë thirrje Moskës që të dorëzojë atë.

“Marrë parasysh bashkëpunimin tonë të intensifikuar me Rusinë, pas sulmeve në Maratonën e Bostonit, dhe historinë e punës sonë me Rusinë, në çështjet e zbatimit të ligjit, përfshirë kthimin e shumë kriminelëve të nivelit të lartë në Rusi, me kërkesë të Qeverisë ruse, presim që Qeveria ruse të shohë të gjitha opsionet që ka në dispozicion për të kthyer Snowdenin në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Carney.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se do të ishte “shumë shqetësuese” nëse Rusia sfidon Shtetet e Bashkuara në lidhje me Snowdenin, duke shtuar se i arratisuri “ka vënë veten mbi ligjin dhe ka tradhtuar vendin e tij”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka mohuar se vendi i tij ka ndonjë lidhje me Snowdenin.

Para gazetarëve në Moskë, Lavrov ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së, duke i cilësuar ato si “të pabaza dhe të papranueshme”.

“Ne nuk jemi të përfshirë në rastin e zotit Snowden, as në marrëdhëniet e tij me drejtësinë e SHBA-së, as në lëvizjet e tij nëpër botë”, ka thënë Lavrov.

Ai ka thënë se Snowden nuk ka kaluar në territorin rus, por nuk ka qartësuar nëse kjo do të thotë se i arratisuri vazhdon të qëndrojë në zonën e tranzitit në aeroportin Sheremetovo të Moskës.

Snowden përballet me akuza kriminale nga SHBA-ja.(v.tela)
XS
SM
MD
LG