Ndërlidhjet

Ahmeti: Ratifikimin e marrëveshjes, në Kushtetuese


Shpend Ahmeti
Shpend Ahmeti



Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar, por në këtë kundërshtim ju keni mbetur të vetmuar. Si do të pozicionohet tani Lëvizja Vetëvendosje?

SHPEND AHMETI
Nuk është hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje e vetme e kundërshton një proces. Ka ndodhur së fundmi, për shembull, me mënyrën e zgjedhjes së presidentes. Dhe, na doli se ne e kemi pasur mirë, duke e quajtur atë marrëveshje si jo të vlefshme dhe ashtu na doli. Edhe kësaj radhe, ndonëse këtë herë është edhe Lëvizja për Bashkim e përfaqësuar në Kuvend, pra ne do të pozicionohemi ashtu siç mendojmë se është më së miri për Kosovën kundër kësaj marrëveshjeje, sepse mendojmë se kjo marrëveshje do ta dëmtojë shumë funksionalitetin e shtetit të brishtë të Kosovës.

Të enjten, Kuvendi, e ka bërë hisedare Republikën e Serbisë në çfarëdo vendimi sovran të Republikës së Kosovës. Ne nuk mund të marrim tashmë asnjë vendim për Kushtetutën, ligjet, zgjedhjet, buxhetin, ekonominë, energjinë, telekomunikacionin pa pëlqimin e Qeverisë së Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, në këtë pikë, Vetëvendosja si do të veprojë tutje në Kuvend?

SHPEND AHMETI
Ne kemi vepruar edhe më herët edhe me metoda institucionale, edhe me metoda jashtë- institucionale. Domethënë, hyrja në Kuvend ka qenë një shtesë për metodat e Lëvizjes Vetëvendosje që të kundërshtojë procese të dëmshme për shtetin tonë. Edhe kësaj radhe jemi munduar që ta ndalim procesin e votimit, sepse mendojmë se ka qenë i delegjitimuar, qoftë në anën kushtetuese ligjore, demokratike, që ky proces domethënë të bëhet ai ratifikim me atë nguti të paparë.

Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në Kuvend, sepse ka edhe shumë procese tjera që po bëhen dhe po zhvillohen në dëm të shtetit tonë, pra do të vazhdojmë që t’i kundërshtojmë ato procese në Kuvend dhe tani jemi duke e konsideruar që ta çojmë vendimin e së enjtes edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, ndërhyrja me forcë në mikrofonin e kryetarit të Kuvendit dhe zaptimi i vendit të udhëheqjes së Kuvendit janë masa, me të cilat mund të veprojë një forcë opozitare në Kuvend?

SHPEND AHMETI
Kjo varet se si e shihni marrëveshjen. Nëse dikush e sheh marrëveshjen si diçka të mirë për Kosovën, atëherë me të vërtetë ajo pamje mund të duket ndoshta edhe e keqe. Mirëpo, për dikë që e sheh se marrëveshja është aq e dëmshme, se nuk ka gjë më të keqe për Republikën e Kosovës tash sesa kjo marrëveshje, atëherë kjo është e vetmja gjë racionale që mund të bëhej të enjten.

Zënia e karriges së Kuvendit nuk ka qenë që të zihet pozita e kryetarit të Kuvendit apo që tash VV-ja të thotë ne po udhëheqim këtë mbledhje, por thjesht ka qenë për të pamundësuar votimin sepse është menduar që sadopak të shtyhet votimi, do të jetë më mirë për Kosovën. Ne nuk ia dolëm, nuk arritëm as t’i bllokojmë deputetët që të hyjnë në Kuvend, ajo (marrëveshja) u miratua, mirëpo nuk mund ta linim gjënë më të keqe për Kosovën të kalonte në qetësi dhe të dukej thuajse ka një unanimitet në Kosovë në lidhje me këtë marrëveshje.

Domethënë, po të ishte të enjten lajmi nga Kosova se ka kaluar ratifikimi qetë me 83- 84 vota për, bashkësia ndërkombëtare dhe publiku ndërkombëtar do të mendonte se 90 për qind e popullatës janë për marrëveshje me Serbinë. Kjo nuk është e saktë. Ne mendojmë se shumica janë kundër kësaj marrëveshjeje dhe më mirë është që të dalë në lajme se në Kosovë ka kundërshtim, sepse kjo është gjë e dëmshme për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
U pa që së fundi në Kuvendin e Kosovës, partitë tjera opozitare kanë mbështetur qëndrimin e pozitës. Ju shpeshherë jeni etiketuar si parti me qëndrim përjashtues. Sa keni bërë përpjekje që ta afroni opozitën me qëndrimet tuaja?

SHPEND AHMETI
Fjala opozitë nuk është vetëm kur nuk je në Qeveri. Unë mendoj se gabimisht dikush perceptohet si opozitë vetëm nga fakti se nuk është në Qeveri. Mendoj se të qenët në opozitë e ka edhe aspektin që e ke një alternativë ndryshe nga ajo alternativa qeverisëse që e ka momentalisht Qeveria.

Në qoftë se e përkrah qeverinë, pothuajse në çdo vendim madhor, atëherë kjo nuk të bën opozitë në realitet, të bën opozitë vetëm në aspektin simbolik.

Pra, ne kemi tentuar që ta ftojmë edhe LDK-në edhe AAK-në, që të bashkëpunojmë, që të ndërtojmë një besim të ndërsjellë me të vetmin qëllim që ta heqim këtë qeveri nga pushteti, për shkak se çdo ditë që kjo qeveri kalon në pushtet, ne mendojmë se është një dëm tepër i madh për Kosovën.

Nuk kemi marrë përkrahje të tërë në proceset më të rëndësishme, qoftë për negociatat me Serbinë, qoftë për marrëveshjen, privatizimin, korrupsionin, domethënë të gjitha këto janë një numër çështjesh për të cilat nuk kemi marrë përkrahje, edhe pse kemi kërkuar vazhdimisht nga ta që të na përkrahin.

Pra, ata shumë shpesh janë pozicionuar në krah të Qeverisë, sesa në krah të opozitës. Ne nuk kemi kërkuar që ata të pajtohen me programin tonë plotësisht, por po e marr një shembull: Vetëvendosje kundërshton privatizimin e PTK-së, a ka ndodhur që LDK-ja të dalë kundër këtij procesi, jo të jenë plotësisht kundër privatizimit, po kundër këtij procesi dhe ne edhe aty kemi pasur vështirësi që të bashkëpunojmë.

Prandaj, ne mundohemi që të jemi inkluzivë dhe mundohemi që të ndërtojmë besimin e ndërsjellë, por kur nuk pajtohen të tjerët, atëherë si duket Vetëvendosja është e vetmja forcë e vërtetë opozitare me këta numra që ka.

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ju ka akuzuar se po e dëmtoni reputacionin e Kosovës. Kjo ambasadë ka theksuar se ambasadorja Tracey Ann Jacobson dhe personeli i ambasadës janë penguar fizikisht nga protestuesit e Vetëvendosjes për të hyrë dhe për të marrë pjesë në seancën e rregullt parlamentare në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Çfarë përgjigje keni për këtë?

SHPEND AHMETI
Nuk ka qenë qëllimi i ndaljes së ambasadorëve të huaj që kanë dashur të jenë në seancë aty. Ne e kemi thënë prej fillimit, jemi transparentë me atë se çka kemi dashur të bëjmë - ne kemi dashur të ndalojmë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Tash ka mundur të ndodhë që në ndonjë hyrje në cilësinë e bllokimit të deputetëve për të mos hyrë, që të mos lejohet ndoshta edhe pa e ditur se kush është. Por, qëllimi nuk ka qenë aty. Dhe, nuk ka qenë qëllimi as të sulmohet ndokush. Nuk ka pasur kurrfarë sulmi dhe e kemi parë edhe nga xhirimi që nuk ka gjëra të tilla. Por, reputacioni i Kosovës, sipas nesh, nuk dëmtohet me këtë që kemi parë të enjten, por është i dëmtuar me korrupsion . Reputacioni i Kosovës është i dëmtuar me mungesë të demokracisë, me presione nga lart.

Ne i kemi thënë dje bashkësisë ndërkombëtare edhe në mbledhjen e Kuvendit, mos e përkrahni Vetëvendosjen. Ne nuk kërkojmë përkrahje për VV-në, por thoni të vërtetën për këtë qeveri që e kemi. Domethënë, është në rregull që Quinti mund të lëshojë një komunikatë, nuk na pëlqyen këto metoda, nuk është mirë kjo, por unë me të vërtetë do të kisha shumë dëshirë ta shoh një komunikatë nga Quinti që dënon rëndë korrupsionin në Kosovë; të flasë për 1.4 milionët e vjedhura për pasaporta, të flasë për vjedhjet në Dhomën e Dëshmive, të flasë për shtëpitë shumëkatëshe e milionëshe të politikanëve që i kemi në Qeveri.

Dhe, atëherë do të ishte me të vërtetë një besim shumë i madh në këto forca që ia duan të mirën Kosovës. Ata mund të mos pajtohen me ne, ne s'kemi çka bëjmë, por ata ta thonë të vërtetën për Qeverinë që e kemi. Kur je në trup i sëmurë, nuk ka lidhje çfarë rrobash ke veshur dhe a po dukesh mirë jashtë. Ti prapë se prapë je i sëmurë. Edhe Kosova. Të kemi më shumë rëndësi për imazhin, sesa për funksionalitetin e shtetit, për ne është e padrejtë. Ta ndërtojmë një shtet të mirë, imazhi do të rregullohet vetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të flasim pak për zhvillimet brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetja juaj Alma Lama ka akuzuar liderin e lëvizjes suaj, Albin Kurti, se ka devijuar programin politik të Vetëvendosjes A është kjo e vërtetë dhe a e keni ndryshuar konceptin politik?

SHPEND AHMETI
Lëvizja Vetëvendosje ka statutin, programin e vet politik dhe programin dhe alternativën qeverisëse. Ne i kemi organet e brendshme dhe demokracinë e brendshme, kemi Këshillin dhe Kryesinë, të cilat marrin qëndrime lidhur me politikat e ndryshme në Kosovë.

Albin Kurti nuk i merr qëndrimet vetë dhe si politikan, por këto qëndrime janë marrë në të gjitha organet e VV-së, ku edhe deputetja është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm. Dhe tash edhe Albini si kryetar, edhe unë si nënkryetar, pa marrë parasysh qëndrimeve tona personale, ne e kemi si detyrë t'i shpjegojmë qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Mendoj se nuk kemi devijuar fare për këto qëndrime që po flasim, këto janë marrë në vitin 2011. Ne kemi lëshuar dy komunikata gjatë këtij viti për gjuhën që është përdorur edhe nga Hoxhë Irfan Salihu, pastaj kemi lëshuar edhe një komunikatë kur deputetja Alma Lama mund të them, është sulmuar në mënyrë paksa raciste, do të thosha, për shkak të prejardhjes së saj nga Shqipëria - për ne është gjë tepër e dëmshme, sepse për ne, kombi është gjëja më e rëndësishme. Alma Lama është veçse shembull i asaj se çka dëshiron etëvendosje të arrijë - është bashkimi kombëtar, që shqiptarët të jenë të gjithë bashkë.

Prandaj, absolutisht nuk mendojmë se kemi devijuar, por deklaratat e Alma Lamës janë shembull i demokracisë së brendshme dhe mendimeve ndryshe që mund të jenë prezent në VV, që domethënë se nëse dikush mendon ndryshe, ajo është absolutisht në rregull. Ne në Këshill nuk mund të jemi të një mendimi për të gjitha gjërat siç nuk mund të jemi edhe në Kryesi, por në momentin kur shumica mendon njëjtë për një gjë, atëherë ai bëhet qëndrim i Vetëvendosjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, Alma Lama e ka akuzuar zotin Kurti se ka dalë hapur në favor të bartjes së shamisë në shkolla dhe për mësimin fetar në shkolla. A është brenda konceptit të VV-së kjo?

SHPEND AHMETI
Aspekti i parë, siç kemi thënë, ka të bëjë me një aspekt të lirive fetare, gjë e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne mund të debatojmë për moshën madhore, të themi a është 16 apo 18 vjeç, me disa ligje për shembull në Kosovë lejohet martesa me 16vjeç dhe ne kemi menduar se në qoftë se dikush e ka moshën madhore të sanksionuar nga ligji si moshë madhore, ne nuk kemi kurrfarë roli që dikujt t'i ndalojmë diçka.

Natyrisht, jemi kundër imponimeve në një moshë minore, jemi kundër imponimeve jo vetëm fetare, por edhe imponimeve tjera. Por, prapë mendojmë se liria e besimit fetar është e garantuar me Kushtetutë dhe sekularizmi, mospërzierja e shtetit me fenë, po ashtu është e garantuar me Kushtetutë.

Ndërsa, sa i përket mësimit fetar, ne e kemi bërë shumë të qartë: është mësimi mbi fetë, jo mësimi fetar. Mësimi mbi fetë thotë se ne mendojmë se është mirë që të dihet historia e religjionit dhe të mësohet mbi fetë e ndryshme.

Kjo do të thotë se ne nuk dëshirojmë priftërinj dhe hoxhallarë nëpër shkolla publike, por duam teologë sekularë, të cilët e dinë historinë. Kjo do të thotë se ne ndoshta nuk kemi njerëz të përgatitur mjaftueshëm që ta kemi këtë lëndë. Por, të diskutohet si të trajnojmë njerëz që mund të mësojnë historinë e religjionit posaçërisht duke ditur se kombi shqiptar është shembull për kombet e tjera se si mund të bashkëjetojnë, bashkëpunojnë fetë brenda një kombi.

Siç e ka thënë edhe Fan Noli se, "kombi shqiptar është ndoshta kombi më interesant që mund t'i mësojë të tjerët - një komb me shumicë myslimane zgjedh një prift ortodoks për kryeministër. Këtë nuk mund ta shihni në asnjë komb tjetër", kur flet për veten si është zgjedhur kryeministër. Pra, ne mendojmë se kombi dhe feja te shqiptarët gjithmonë kanë bashkëjetuar, por gjithmonë duke pasur parasysh se kombi është gjëja më e rëndësishme.
XS
SM
MD
LG