Ndërlidhjet

Tregtarët ngarkojnë prodhuesit


Produkte kosovare
Produkte kosovare
Përfaqësuesit e bizneseve kanë ngritur shqetësim për presionet që po iu bëhen prodhuesve vendorë nga tregtarët në Kosovë. Ata bëjnë të ditur se prodhuesit vendorë, përveç probleme që u krijohen nga konkurrenca e padrejtë dhe joformaliteti, ata po përballen me shumë sfida që po ju bëhen nga tregtarët e që po e pengojnë zhvillimin e bizneseve të tyre.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, bën të ditur se shqetësimi aktual për prodhuesit vendorë, janë presionet që po iu bëhen nga tregtarët.

“Cilat janë ato presione? Në rend të parë nëse unë dëshirojë të shes prodhimin në marketet kosovare, dërgesën e parë duhet ta jap gratis, çmimin e dikton tregtari dhe jo prodhuesi, e treta afatin e pagesave e dikton tregtari dhe jo prodhuesi, dhe hapësirën ekspozuese të prodhimeve kosovare e paguan prodhuesi dhe mbi të gjitha në fund të vitit do të ulet dhe do të bisedohet që përqindja e totalit t'i takojë tregtarit”, bën të ditur Gërxhaliu.

Kompania “ASK Foods” , në Gjilan, që merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve është njëra nga kompanitë kosovare që produktet i shet në markete kryesisht të mëdha në Kosovë.

Pronari i kompanisë, Barlet Namoni, tregon se për dërgesat e parë me produkte te marketet e mëdha, tregtarët kërkojnë mbushje për dërgesat, që i bie një lloj garancie. Ndërkaq, sa i përket pagesave, ai thotë është një problem mjaft i theksuar, pasi që pagesat asnjëherë nuk bëhen me kohë nga tregtarët.

“Është shumë e vështirë kjo, përveç që kërkohen afate të gjata të pagesave që është minimumi 45 ditë edhe ato nuk realizohen më kohë, bëhen 70 e 80 ditë derisa të paguhen”, shton Namoni.

Një ngarkesë për prodhuesit është edhe pagesa që ata bëjnë te marketet për ekspozimin e produkteve të tyre. Shuma që kompania “ASK Foods” paguan për ekspozimin e produkteve është mbi 150 euro në muaj.

Produkt nga "ASK foods"
Produkt nga "ASK foods"
“Ta jep një ballinë, të cilën e paguan dhe që është një vlerë e madhe. Në atë ballinë ti duhet t’i përfshish të gjitha produktet e tua. Ne si 'ASK FOOD' e kemi problem t'i ekspozojmë të gjitha produktet, pasi që kemi rreth 100 produkte”, shton Namoni.

Ndryshe, prodhuesit kosovarë vazhdimisht janë ankuar edhe për mungesë ët politikave të mira fiskale të cilat do ta ndihmonin prodhimtarinë.

Qeveria e Kosovës kohë më parë ka miratuar pakon e re fiskale, në të cilën vendosi disa lehtësira për bizneset prodhuese në Kosovë, por nuk e ka futur kërkesën e vazhdueshme të bizneseve në Kosovë që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për mallrat e importuara të paguhet në brendi të vendit dhe jo në kufi.

Por, nëse Qeveria e Kosovës do të ndihmonte prodhimin vendor, ky sektor do të zhvillohej dhe, rrjedhimisht, do të kishte ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se politikat fiskale në Kosovë nuk janë në funksion të fuqizimit të prodhimit.

“Është koha që për ekonomi, jo vetëm të flitet, por të bëhet më tepër. Nëse mendon Kosova të ketë një ardhmëri të qëndrueshme, duhet që prioritet i prioriteteve të jetë ekonomi dhe zhvillimi, jo vetëm më takime, jo vetëm me strategji por më legjislacion që është në funksion të zhvillimit dhe jo dekor në sirtarët qeveritarë”, pohon Gërxhaliu.
XS
SM
MD
LG