Ndërlidhjet

Verë e pasur me aktivitete kulturore


Ansambli "Shota"
Ansambli "Shota"
Ndryshe nga praktikat e disa viteve më parë, kur institucionet kulturore, të cilat mbështeten nga institucionet qeveritare për kulturë, pushonin aktivitetet gjatë muajve të verës, sivjet ato do të ofrojnë një numër aktivitetesh për qytetarët që kanë vendosur që muajt e verës t’i kalojnë në kryeqytetin e vendit.

Jehona Shyti, këshilltare e lartë politike e ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aktivitetet kulturore do të nisin që në fillim të muajit korrik, ku vetëm gjatë dy javëve të para të këtij muaji në Teatrin Kombëtarë do të shfaqen dy premiera teatrore.

“Në Teatrin Kombëtar do të kemi një verë aktive, sepse gjatë 15 ditëve të para do të jenë dy premiera në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, si pjesë e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe universitetit të Prishtinës”.

“Po ashtu, Teatri kombëtar i Kosovës po planifikon që këtë verë të ketë ‘Javën e teatrit’, pra, të ftojë të gjitha teatrot e qyteteve që operojnë në Kosovë, që të paraqesin shfaqjet e tyre në ‘Javën teatrore’, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës. Kjo parashihet që të jetë gjatë muajit gusht”
, ka bërë të ditur Shyti.

Shyti ka shtuar se gjatë muajit gusht Teatrin Kombëtar në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, do të organizojnë orë letrare, shfaqje të ansamblit italo –arbëresh “Bijtë e shqipes”, si dhe Javën e filmit shqiptar.

Gjithashtu, sipas saj, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me ambasadat e huaja në Kosovë, do të organizojë edicionin e dytë të Akademisë verore të muzikës.

Gjatë muajit korrik do të ketë edhe shfaqje nga Trupa e Baletit të Kosovës.

Ndryshe, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, sipas Shytit, do të ketë edhe një varg aktivitetesh të organizuara nga organizatat joqeveritare.

“Ministria e Kulturës, këtë vit, ka ndarë mbi 700 mijë euro për mbështetje të kulturës së pavarur dhe me rishikimin e buxhetit, kemi arritur që ta rrisim buxhetin për mbështetje të këtyre aktiviteteve. Planifikojmë që këtë vit të kemi mbi 1 milion euro për mbështetje të kulturës së pavarur”.

“Do të doja të ndalesha në njërën nga aktivitetet, që konsiderojmë se është i rëndësishëm, ‘Etno – festi’, që do të mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe në të cilin aktivitet do të promovohet dokumentari për ‘Eposin e kreshnikëve’, që është financuar nga Ministria e Kulturës. Kjo do të mbahet gjatë muajit gusht, besojmë”,
ka theksuar Shyti.

Në javën e parë të korrikut do të hapet edhe ekspozita arkeologjike “Një komb një kulturë”, e cila organizohet si bashkëpunim i të dyja ministrive të kulturës, të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërkaq, Ministria e Kulturës e Kosovës do të organizojë edhe “Ditët e trashëgimisë evropiane” si dhe “Kampin arkeologjik – Ulpiana 2013”. Dhe një varg aktivitetesh tjera.

Në anën tjetër, edhe zyrtarët e Drejtorisë për Kulturë dhe Sport e Komunës së Prishtinës, thonë se janë përkujdesur që muajt e verës në kryeqytetin kosovarë të jenë mjaft të pasur me aktivitete kulturore.

Valbona Shujaku, drejtuese e Departamentit për kulturë në këtë drejtori, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se aktivitetet kulturore në kryeqytet, të mbështetura nga Komuna e Prishtinës, do të nisin më 8 korrik.

“Më 8 korrik do të mbahet koncerti i grupit muzikor ‘Ilirët’. Me koncertin e ‘Ilirëve’ fillon vera në Prishtinë dhe do të mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Kurse, në vazhdimësi, çdo të premte dhe të shtunë, deri më 3 gusht, do të mbahen koncerte të vogla në sheshin ‘Nëna Terezë’, aty para ‘Hotelit Swiss Diamond’. Do të jenë krupe muzikore, me zhanre të ndryshme, si jazz, rock, popullore, për t’i mbuluar shijet e ndryshme të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Shujaku.

Gjatë korrikut, sipas Shujakut, do të organizohet edhe “Festa e pijes së verës”, si dhe “Java e arkitekturës së Prishtinës”, por ndërkohë, siç thotë ajo, në komunën e Prishtinës janë duke arritur një varg kërkesash për organizime të ndryshme kulturore, për të cilat kërkohet mbështetje nga komuna.

“Edhe sot e kësaj dite, ne marrim kërkesa për mbështetje financiare të aktiviteteve që planifikohen të mbahen nëpër qytet në muajin korrik dhe gusht. Përfundimisht, nuk mund të jap idenë ose prezantimin se çka do të mbahet deri në fund të verës, sepse ka ndryshime për çka do të mbahet deri në fund të verës, sepse ka ndryshime për çdo ditë”, ka shtuar Shujaku.

Viteve të fundit, gjatë muajve të verës, është bërë e dukshme që kryeqyteti i Kosovës është përplot me bashkatdhetarë që vijnë nga diaspora për t’i kaluar pushimet.

Organizimet kulturore, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, por edhe zyrtarëve komunalë të Prishtinës, përgjegjës për kulturën, ofrohen për t’ua bërë sa më të kënaqshëm qëndrimin ne vend këtyre bashkatdhetarëve, por edhe vetë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG