Ndërlidhjet

Beogradi me lojë të dyfishtë në veri


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Beogradi zyrtar ka kritikuar të ashtuquajturin Kuvend i përkohshëm i Kosovës, të cilin përfaqësuesit e serbëve të veriut e kanë themeluar ditën e enjte në Zveçan.

Por, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë shprehur dyshimet dhe vlerësimet se Beogradi po bën lojë të dyfishtë dhe se themelimi i këtij kuvendi nuk ka mundur të ndodhë pa dijen dhe pëlqimin e Beogradit.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia dhe serbët duhet të nxjerrin mësime nga historia e tyre dhe nuk duhet të punojnë në dëm të vetvetes.

Ai ka theksuar se themelimi i të ashtuquajturit "kuvend" në veri të Kosovës nuk do ta ndihmojë popullin serb atje.

Sipas tij, mjetet dhe mënyrat me të cilat populli serb sot lufton për interesat e veta janë të tjera nga ato që janë përdorur deri më tash.

“Neve nuk na ka informuar askush lidhur për këtë që ka ndodhur dhe kjo nuk është bërë në përputhje me ligjet aktuale, kushtetutën etj. Krejt çka mund të them në këtë moment është se kjo nuk shkon në favor as të Serbisë e as popullit serb në Kosovë”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se nuk do të ketë reagim në raport me diçka që nuk ekziston, duke aluduar në kuvendin e themeluar në veri.

Por, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se është e sigurt që negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë shkuar në formën e duhur, për faktin se ata që do të duhej të jenë zbatues të marrëveshjes, kanë dalë kundër saj.

Unë besoj se situata do të komplikohet, në vend se të shtjellohet, në vend se të zgjidhen problemet, të cilat janë hapur, posaçërisht, në mënyrë dinake, pasi që Serbia e ka marrë datën e negociatave".

"Në këtë kuptim, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe kjo të jetë pjesë e lojës së dyfishtë që është nisur nga Beogradi, e kinse se nuk është bërë në lidhje me njohuritë që i ka pasur për veprimet në veri edhe pse atje, dihet mirëfilli se ata i kanë bazat e veta të informacionit dhe njerëzit që punojnë me vite të tëra”, ka thënë Beqaj.

Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj ka theksuar se ajo që ka ndodhur ne veri ka ngritur shumë pikëpyetje.

Sipas tij, veprimi i përfaqësuesve serb të veriut të Kosovës mund të jetë në kundërshtim me interesat e Beogradit dhe, siç thotë ai, është normale të ketë fërkime ndërmjet Beogradit dhe liderëve politik të serbëve të veriut të Kosovë.

Por, sipas tij, ekziston edhe bazë e fortë për dyshime se kjo është një lojë e dyfishtë e Beogradit zyrtarë.

“Në anën tjetër, po e shohim se kryetari i kësaj organizate më të re që e shpallën serbët në veri të Kosovës, në fakt, është nga partitë të cilat sot janë në pushtet në Serbi. Pra, është i afërt me pushtetin politik që është në Serbi".

"Po ashtu, pra, janë me të drejta edhe dyshimet se prapa kësaj ekziston edhe një lojë tjetër e Beogradit, për të vazhduar për ta cenuar shtetin e Kosovës, por edhe për më tepër, për të vazhduar ta ruaj prezencën e vet në pjesën veriore të Kosovës, e pse jo edhe në tërë Kosovën”, u shpreh Arifaj.

Arifaj shpreh mendimin se Serbia po përpiqet të gjejë arsye për ta zvarritur zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

E gjithë kjo situatë, sipas tij, siç kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në vend, tregon se me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit, Serbia nuk ka dëshiruar që t’i normalizoj marrëdhëniet me Kosovën dhe nuk shihen shenja që Serbia dëshiron ta ndryshojë në thelb qasjen e saj ndaj Kosovës.

Politologu Beqaj, ka theksuar se, marrëveshja e Brukselit, nuk do të jetë përfundimtare, dhe se koha do të dëshmoj se ajo është vetëm një zgjidhje e përkohshme.
XS
SM
MD
LG