Ndërlidhjet

Pa marrëveshje, por me përparim


Takimi ne Bruksel
Takimi ne Bruksel
Takimi i 13 me radhë i kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nuk ka rezultuar me marrëveshje përfundimtare konkrete, por të dyja palët thanë se në takim është arritur përparim dhe paralajmëruan takimin e radhës në Bruksel më 14 korrik.

Ndërkohë, të marten dhe të mërkurën në Beograd dhe Prishtinë shkon për vizitë Baronesha Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, e cila në emër të Bashkimit Evropian është duke e lehtësuar këtë dialog në nivel të lartë.

Ashton ka thënë pas takimit se palët duhet të fokusohen në implementim.

Ajo në deklaratën e saj ka thënë se është shumë e rëndësishme që puna në implementim të vazhdohet në takimet e ardhshme, siç është paraparë me planin e implementimit.

"Jam e lumtur se të dy kryeministrat kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për këtë“, ka thënë Ashton.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ka qenë një takim jashtëzakonisht i frytshëm dhe se është arritur "pajtim në parim për energji dhe telekom“.

Thaçi ka thënë se "kanë mbetur në secilën nga këto dy çështje edhe nga një element i vogël të sqarohet në ditët e ardhshme për çka do të bisedohet gjatë vizitës së baroneshës Ashton në Prishtinë dhe Beograd“.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se është i bindur se do të gjindet marrëveshje edhe për këto elemente rreth energjisë dhe telekomit, e më pas do të vazhdohet me implementimin e plotë të marrëveshjes.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka thënë se takimi ishte mjaft i vështirë, por në të është arritur përparim.

Ai tha se ende mbetet për t'u sqaruar disa çështje rreth telekomit, energjisë dhe amnistisë.

Sa i përket telekomit, Daçiq ka thënë se duhet sqaruar se çfarë do të ndodhë pas vitit 2015 dhe se a do të konsiderohen thirrjet që bëjnë qytetarët nga, siç tha ai, Prishtina në Serbi, si thitrrje ndërkombëtare apo vendore.

Për energjinë, ai tha se problem ka qënë edhe Hidrocentrali i Gazivodës, por kjo çështje është lënë për më vonë për shkak të problemeve rreth pronësisë.

Edhe Baronesha Catherine Ashton në deklaratën e lëshuar pas takimit tha se "teksti i marrëveshjes për telekom dhe energji është pothuajse finalizuar dhe diskutimet për këtë do të vazhdohen në ditët në vijim gjatë udhëtimeve të mija në Beograd dhe Prishtinë“, ka thënë Ashton.

"Pas vendimeve historike të Këshillit Evropian të qershorit për të hapur negociatat e anëtarësimit me Serbinë dhe nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, tash presim hapat e ardhshëm në implementim“, ka thënë Ashton.
XS
SM
MD
LG