Ndërlidhjet

Shtyhet nënshkrimi i kontratës për shitje të PTK-së


Prishtinë - Selia qendrore e Post-Telekomit të Kosovës (Ilustrim)
Prishtinë - Selia qendrore e Post-Telekomit të Kosovës (Ilustrim)
Shtyhet për tre javë nënshkrimi i kontratës për shitjen e aksioneve të Post-Telekomit të Kosovës, pas kërkesës për këtë gjë nga konsorciumi fitues.

Komisioni Qeveritar për Pritavizimin e PTK-së, thotë të ketë analizuar “rrethanat e krijuara nga kërkesa për shtyrje të nënshkrimit të kontratës dhe ka ardhur në përfundimin se shtyrja për tre javë e afatit për nënshkrim të kontratës nuk do të ketë ndikime negative në mbarëvajtjen dhe përmbylljen me kohë të procesit të privatizimit të aksioneve të PTK-së”.

Mirëpo në këtë arsyetim, nuk përmenden se cilat rrethana ka cekur konsorciumi AXOS Capital që bleu 75% të aksioneve të PTK-së për 277 milionë euro!

KQP njoftoi për këtë shtyrje përmes një komunikate, ku thekson se dokumentet e tenderit rregullojnë në mënyrë përmbylljen e kontratës, e cila duhet të ndodhë brenda 270 ditëve pas shpalljes së operatorit ekonomikisht më të favorshëm, ndërsa nënshkrimi fillestar duhet të ndodhë pas 60 ditë pune “nëse palët janë të gatshme për një gjë të tillë”.

“Kjo shtyrje nuk ndikon në datën e përmbylljes së kontratës e cila gjithsesi duhet të ndodhë brenda 270 ditëve nga shpallja e operatorit ekonomikisht më të favorshëm”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Vendimi për shtyrje të nënshkrim të kontratës, siç thuhet është marrë në bazë të rekomandimit dhe analizës ligjore të bërë nga këshilltari i transaksionit.

Privatizimi i PTK-së ka shkaktuar polemika të shumta në opinion, dhe posaçërisht në mes të qeverisë dhe opozitës.
XS
SM
MD
LG