Ndërlidhjet

Autostrada Prishtinë - Shkup, ngarkesë për buxhetin


Kosova ende pa përfunduar autostradën Prishtinë - Vërmicë do të fillojë ndërtimin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit. Ky është një zotim i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka paralajmëruar se në vjeshtë të këtij viti do të fillojë ky projekt.

“Jemi në periudhën jashtëzakonisht intensive të punës për përmbylljen e projektit të ‘Rrugës së Kombit’, për të hapur mundësi menjëherë nga vjeshta e këtij viti fillimit të ndërtimit të projektit të ri që do të lidh Prishtinën- Kaqanikun - Hani i Elezit deri në Shkup, projekt ky mjaft i rëndësishëm. Kosova gradualisht po shndërrohet në një udhëkryq për rajonin me infrastrukturë më moderne në Ballkan”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Megjithatë, ndërtimi i autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, nga ekspertë të çështjeve ekonomike nuk konsiderohet si projekt i cili sjell zhvillim ekonomik, derisa bëjnë të ditur se do të rëndojë buxhetin e vendit.

Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP” thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i rrugëve me mjetet e buxhetit të Kosovës është politikë e gabuar, pasi që si të tilla këto projekte nuk kanë kthim të menjëhershëm ekonomik.

“Një prej fokuseve kryesore të qeverisë aktuale në dy mandatet ka qenë ndërtimi i rrugëve dhe kjo më shumë është një projekt vetëm sa për të rënë në sy dhe jo si instrument për zhvillim ekonomik. Autostrada ‘Rruga e Kombit’ është një projekt vetëm sa e ka rënduar buxhetin e Kosovës pa pasur efekt në zhvillimin ekonomik të vendit, e njëjta do të ndodh edhe me autostradën Prishtinë Hani i Elezit”, ka thënë Demi.

Autostrada Prishtinë – Vërmicë sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, do të lëshohet për qarkullim në fund të këtij viti, derisa, kostoja përfundimtare e këtij projekti, pritet të jetë 800 milionë euro.

Për autostradën Prishtinë - Hani i Elezit ende nuk ka ndonjë kosto se sa mund ti kushtojë buxhetit të Kosovës. Deri më tani nga buxheti i Kosovës për ndërtimin e kësaj rruge janë ndarë 30 milion euro.

Sipas projektit të prezantuar në vitin 2010, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.

Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra.

Zbatimi i këtij projekti është kundërshtuar po ashtu edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore për arsye se siç është thënë Kosova nuk ka rrethana, nuk ka ambient dhe nuk ka mundësi financiare që të fillojë këtë projekt.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë për Radion Evropa e Lirë se efekte e ndërtimit të autostradave nuk mund të vërehen në periudha afatshkurtra, por pas 2 apo tre viteve Kosova me dy autostrada të përfunduara të jetë një vend transit rëndësishëm në Evropën Juglindore.

Sa i përket mjeteve për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, Rukiqi sugjeron institucionet e Kosovës që të kërkohet ndihmë nga institucionet financiare ndërkombëtare, siç është Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Fatkeqësisht Kosova tani për tani ka vetëm një burim për financimin e këtyre projekteve, siç është buxheti i vendit. Por unë besoj që institucionet financiare ndërkombëtare në bashkëpunim me institucionet tona duhet të gjejnë modalitete që me pas involvime edhe të BERZH-it apo organizatave tjera, që këto projekte infrastrukturore të kompletohen edhe nga këto mekanizma”, thekson Rukiqi.
XS
SM
MD
LG