Ndërlidhjet

Turqia përballë tensioneve të reja ndërmjet sekularistëve dhe islamistëve


Turqi, 5 gusht 2013.
Turqi, 5 gusht 2013.
Thirrjet e protestuesve sekularist turq gjatë protestës të së hënës se ata janë ushtarët e Ataturkut, rikthejnë vëmendjen e opinionit botëror në tensionet që ekzistojnë prej se në pushtet erdhi kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Recep Tayyip Erdogan.

Protestat janë nxitur për shkak të përfundimit të procesit gjyqësor kundër qindra të burgosurve që pushteti islamik i Erdoganit i akuzon për konspiracion dhe përpjekje për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Gjykata turke në Stamboll ka bërë publike të hënën vendimet në proceset gjyqësore të 275 personave që akuzohen për rrëzimin e qeverisë.

Në mesin e të paditurve përfshihen edhe ish-komandantë ushtrie, si Ilker Basbug, oficerë ushtarakë, avokat, akademikë dhe gazetarë.

Komandanti i pensionuar, Basbug, është dënuar me burgim të përjetshëm.

Ish-komandanti që e ka udhëhequr ushtrinë turke prej vitit 2008 deri më 2010, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër tij.

Disa prej të burgosurve tjerë janë dënuar me nga 20 vjet burg, ndërsa 21 prej të akuzuarve janë liruar nga akuzat.

Verdiktet u janë shqiptuar të gjithëve individualisht.

Njësitë speciale janë nxjerrë në rrugë, si dhe janë vendosur barriera prej metali përreth gjykatës në Stamboll, ku janë shqiptuar verdiktet të hënën.

“Ky është gjykimi i Erdoganit, është teatri i tij”, i ka thënë Reutersit, Umut Oran, deputet nga partia opozitare, CHP.

"Në shekullin XIX për një shtet që dëshiron të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian, ky gjykim, i qartë politik, nuk ka kurrfarë baze ligjore”, ka thënë më tej ai jashtë objektit të gjykatës.

Ushtria sekulariste turke, e cila për një kohë të gjatë është parë si garantuese e Kushtetutës së vendit, ka një histori konflikti të gjatë me partinë islamike të Erdoganit.

Ushtria ka organizuar grusht-shtet në vitin 1960, 1971 dhe në vitin 1980.

Në vitin 1997 e kishte detyruar mentorin e Erdoganit, Nexhmedin Erbakan, që të japë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, i cili e udhëhiqte qeverinë e parë me rrënjë islamike.

Qindra oficerë ushtarakë janë arrestuar që prej se Erdogan ka ardhur në pushtet në vitin 2002, në atë që kritikët e quajnë si shtypje të ndikimit të ushtrisë në politikën e shtetit.

Në shtator të vitit 2012, në një rast të ndarë që ishte emërtuar “çekan farkëtari”, gjykata e njëjtë kishte dënuar më shumë se 300 oficerë në detyrë dhe të pensionuar deri me nga 20 vjet burg me akuzën për konspiracion për të rrëzuar qeverinë e dekadës së kaluar. (a.haraçia)
XS
SM
MD
LG