Ndërlidhjet

Thaçi fton zyrtarisht serbët të votojnë më 3 nëntor


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zyrtarisht në emër të qeverisë i ka ftuar serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Thaçi në mbledhjen e ekzekutivit që e ka mbajtur të mërkurën deklaroi se pjesëmarrja në zgjedhje e të gjitha komuniteteve është një mundësi e mirë për të gjithë qytetarët dhe të ardhmen e tyre.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nga baronesha Catherine Ashton me rastin e këtyre zgjedhjeve ka kërkuar ekipe vëzhguese në ditën e votimi.

Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është një mundësi e re, është një garanci e përbashkët se do ta ndërtojmë Kosovën tonë bashkërisht”, tha Thaçi.

Kurse, drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thonë se organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës do të jetë një sfidë për KQZ-në dhe institucionet e tjera, pasi që në atë pjesë të vendit për herë të parë pritet të marrin pjesë partitë politike serbe.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdeta Daka, tha se zgjedhjet në veri do të organizohen nga KQZ-ja dhe do të ndihmohen nga OSBE-ja.

“Natyrisht që është sfidë se për herë të parë organizohen zgjedhjet atje. Është situata specifike politike në atë pjesë. Natyrisht që ka ndërhyrje të ndryshme. Mos të ishte situata specifike ne nuk ish dashur që në të bashkëpunojmë as më OSBE-në, as të lidhet marrëveshje me Serbinë, as asgjë. Po të ishte si pjesa tjetër e Kosovës, shumë më lehtë do të ishte”, tha Daka.

Ajo ka sqaruar se OSBE-ja, në masë të madhe do të ndihmojë në votimin jashtë Kosovës.

OSBE-ja do ta ketë një rol të cilin e ka pasur edhe më herët. Ne vitin 2009 OSBE-ja ka ndihmuar ka bërë mbledhjen apo grumbullimin e fletëvotimeve të cilat i kanë plotësuar qytetaret që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i kanë plotësuar kushtet të votojnë”, tha Daka.

Autoritetet kosovare kanë shprehur bindjen se zgjedhjet e nëntorit do të jenë të suksesshme.

Kryetarja e KQZ-së, Daka, theksoi se fletëvotimet për zgjedhjet e 3 nëntorit do të jenë të njëjta për të gjitha komunat.

Sipas saj, pavarësisht kërkesave të mundshme lidhur me ndryshimet në fletëvotimeve, një gjë e tillë nuk do të pranohet dhe se as në diskutimet në Bruksel nuk është lejuar të flitet për atë çështje.

“Nuk ka ndryshim as në fletëvotim as askund. As nuk është diskutuar fare, as nuk është lejuar diskutimi i tillë”, ka sqaruar Daka.

Edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Florian Dushi, tha se angazhimi i OSBE-së në procesin e zgjedhjeve të sivjetme lokale në Kosovë, mbështetet në marrëveshjen e arritur në dialogun Prishtinë – Beograd.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me OSBE-në dhe atë në kuadër të atyre konkluzioneve që janë arritur në Bruksel mes grupeve punuese për zgjedhje dhe që parashohin një rol lehtësues të OSBE-së në pjesën e veriut të Kosovës”, tha Dushi.

Njohësit e proceseve zgjedhore në Kosovë kanë konsideruar se organizimi i zgjedhjeve në veri ose edhe ndihma në atë drejtim nga OSBE-ja, është normale në rast se nuk cenohen dispozitat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG