Ndërlidhjet

Specializantët me paga


Ilustrim
Ilustrim
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pati premtuar se në vitin 2013 specializantët do t’i mbështesë financiarisht, duke ua mundësuar që specializimet t’u paguhen.

Specializantëve vullnetarë, para këtij vendimi, iu është dashur të paguajnë çdo vit nga 1 mijë euro, e që, sipas tyre, ka qenë një ngarkesë mjaft e madhe.

Por, që nga 14 gushti i 2013-s, është marrë vendim që të fillojë nënshkrimi i aneks- kontratave me mjekët, të cilët janë duke specializuar dhe si rrjedhojë, gjithë specializantët do të paguhen në formë page nga Ministria e Shëndetësisë nga muaji shtator.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky vendim do t'ua lehtësojë specializantëve të vijojnë shkollimin e tyre të mëtutjeshëm.

"Sot në Ministrinë e Shëndetësisë, midis ministrisë dhe mjekëve në specializim me vetëfinancim, do të fillojë procesi i nënshkrimit të aneks-kontratave përmes së cilave institucioni ynë t'u mundësojë gjithë specializantëve pa pagesë që ta vijojnë shkollimin specialistik të mbuluar financiarisht".

"Ky vendim do t'ua lehtësojë shkollimin gjithë kandidatëve, derisa në anën tjetër, do të sigurohet zbatimi i shërbimeve të integruara të kujdesit shëndetësor me interesim të veçantë për përmirësimin e qasjes të qytetarëve në shërbime shëndetësore në viset rurale, duke e ndërlidhur edhe më shumë funksionalizimin parësor shëndetësor me atë dytësor dhe terciar", ka bërë të ditur Hoti.

Specializantët kanë thënë se një vendim i tillë nga ana e Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, është i mirëseardhur dhe shumë i domosdoshëm.

"Mendoj se vendimi për pagesë për specializantët është një vendim i qëlluar, por mendoj se është edhe i vonuar. Shumë pak nga specializantët në të njëjtën kohë edhe kanë punuar. Pra, ka qenë një ngarkesë shumë e madhe. Ne jemi mjekë , gati specialistë dhe nuk kemi marrë asnjë cent deri tani. Puna që bëhet si specializant është shumë e vështirë, e mundimshme dhe me shumë përgjegjësi. Pagesa mendoj se është një motivim është i qëlluar dhe shumë i domosdoshëm për gjithë specializantët", është shprehur Albert Morina, specializant.

Por, ka edhe mjekë që në të njëjtën kohë specializojnë si dhe punojnë në Qendra të Mjekësisë Familjare. Ata patën reaguar ndaj këtij vendimi, pasi që është dashur të zgjedhin ndërmjet punës apo specializimit, për shkak se dy paga nga i njëjti buxhet nuk mund të merren. Sipas tyre, ka qenë e pamundur të bëhet zgjedhja e njërës, pasi që puna dhe specializimi kanë një lidhshmëri të jashtëzakonshme.

Por, Hoti ka një shpjegim lidhur me këtë:

"Ministria e Shëndetësisë do të shkojë në atë zgjidhje që është e favorshme për specializantët që janë duke punuar dhe duke ndjekur shkollimin specialistik.
Do të bëhet më e mira edhe për specializantët, por edhe për Qendrat e Mjekësisë Familjare, në mënyrë që këto qendra të mos mbeten pa staf, por edhe gjithë kandidatët që janë të interesuar, ta vazhdojnë specializimin, të kenë mundësi ta bëjnë këtë, varësisht prej cilës formë preferojnë ata".


Në dy vitet e fundit janë ndarë 532 specializime, çka do të thotë se është rritur dukshëm numri i mjekëve të cilëve iu është lejuar të specializojnë, krahasuar me vitet paraprake.
XS
SM
MD
LG