Ndërlidhjet

Pakistan: Musharraf paditet për vrasjen e Bhuttos


Pervez Musharraf
Pervez Musharraf
Një gjykatë në Pakistan e ka paditur ish-udhëheqësin ushtarak, Pervez Musharraf, për vrasjen e ish-kryeministres, Benazir Bhuto, vrasje kjo që ka ndodhur në vitin 2007.

Gjykata në Riwalpindi e ka akuzuar Musharrafin të martën për tri pika që përfshin vrasjen dhe konspiracion për vrasje.

Musharraf është deklaruar i pafajshëm gjatë seancës së mbyllur.

Duke folur para gazetarëve jashtë ndërtesës së gjykatës, Afshan Adili, avokate e Musharrafit, i ka hedhur poshtë akuzat kundër klientit të tij.

"Ish-presidenti nuk është i përfshirë në këtë rast fare. Unë mendoj, që të gjitha akuzat, për të cilat është paditur ai, asnjë nuk do të verifikohet për presidentin”, ka thënë avokatja e Musharrafit.

Partia e Musharrafit, gjithashtu, e ka hedhur poshtë akuzën.

Aasia Ishaque, zëdhënëse për “Ligën Myslimane të Mbarë-Pakistanit” ka thënë se akuzat kundër Musharrafit janë “të fabrikuara”.

Ajo ka pyetur, “Si ka mundësi që një president të mbahet përgjegjës për një vrasje gjatë udhëheqjes së tij?”

Musharraf është akuzuar se ka dështuar që të ofrojë mbrojtje adekuate për Bhuton, e cila ishte vrarë në dhjetor të vitit 2007.

Ajo ishte vrarë gjatë një sulmi me bombë dhe armë zjarri derisa merrte pjesë në një tubim politik në Rawalpindi, në afërsi të Islamabadit.

Prokurorët dhe mbështetësit e Bhutos kanë thënë se Musharraf ka dështuar që të mbrojë si duhet atë me gjithë kërkesat zyrtare të njëpasnjëshme për shtim të masave të sigurisë.

Ajo ishte sulmuar edhe më parë ku jo pak mbështetës të saj janë vrarë, ndërsa rregullisht ka pasur kërcënime për vrasjen e saj.

Të martën, kur Musharraf duhej të paraqitej në gjykatë, janë angazhuar qindra policë përgjatë rrugës kryesore që të çon deri te gjykata.

Më 6 gusht, gjykata e kishte shtyrë vendimin për padi për shkak se ishte shumë me rrezik për Musharrafin që të ishte i pranishëm në proces, pasi kishte marrë kërcënime për vrasje.

Vendimi i gjykatës është i pari i këtij lloji që Musharraf apo cilido ish-shef ushtrie në Pakistan të jetë paditur për një krim.

Musharraf, që prej se është kthyer në vendin e tij, në muajin mars, është përballur me një numër akuzash për kohën kur ka sunduar nga viti 1999 – 2008.

Në qershor, kryeministri, Nawaz Sharif kishte urdhëruar nisjen e hetimit kundër Musharrafit për tradhti.

Sharif ka thënë se Musharraf “duhet të japë përgjigje për fajin e tij në gjykatë”.

Ai e ka akuzuar Musharrafin për shkeljen e Kushtetutës për heqjen nga pushteti të qeverisë së zgjedhur nga populli në vitin 1999 dhe për shkarkimin e gjykatësve dhe imponimin e regjimit emergjent në vitin 2007.

Nëse dënohet për tradhti, Musharraf mund të dënohet me burgim të përjetshëm, apo edhe të marrë dënim me vdekje.

Musharraf është i përfshirë në dy raste të tjera. Njëri rast ka të bëjë me burgosjen e gjykatësve të lartë që ai i kishte shkarkuar në vitin 2007. Ai është, gjithashtu, një nga të pandehurit në një rast që ka të bëjë me vrasjen e vitit 2006 të një lideri nacionalist gjatë një operacioni në krahinën jug-perëndimore të Balochistanit. (a.haraçia)
XS
SM
MD
LG