Ndërlidhjet

BIK-u shkarkon Xhabir Hamitin


Bashkësia Islame e Kosovës
Bashkësia Islame e Kosovës
Pasi Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës kishte ndërprerë punimet me vendim të kryetarit Xhabir Hamiti, i cili ishte larguar nga takimi, anëtarët e tjerë kanë vazhduar punimet dhe me 23 vota për dhe një abstenim, kanë shkarkuar kryetarin e deritashëm të Kuvendit të BIK-ut, Xhabir Hamiti.

Sekretari organizativ i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi , para gazetarëve ka thënë se ky vendim është marrë pasi që Hamiti nuk e ka përfillur vullnetin e anëtarëve të tjerë të Kuvendit për ta futur në rend dite një pikë diskutimi që ka të bëjë me një ndryshim në Kushtetutën e Bashkësisë Islame lidhur me zgjedhjen e të parit të Bashkësisë.

“Pika e rendit të ditës, për të cilën kanë insistuar anëtarët Kuvendit ka qenë shqyrtimi i draft-projektit për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së BIK-ut, e cila praktikisht i ka kaluar të gjitha proceduara e parapara sipas Kushtetutës, por që për shkak të bllokimit nga ana e kryetarit, ka dy vjet që nuk ka hyrë në rend të ditës. Dhe, në pamundësi nga ana e kryetarit që ta vërë në rend dite, atëherë anëtarët e Kuvendit kanë vendosur që ta fusin edhe atë në rend dite në mbledhjen tjetër”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka bërë të ditur se me datën 29 gusht do të mbahet edhe një mbledhje e radhës ku do të diskutohet për ndryshimet.

Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Xhabir Hamiti, pasi kishte lëshuar mbledhjen, para gazetarëve tha se në takim ka pasur tension dhe ngritje zëri, por sekretari Bajgora ka mohuar deklaratat se në takim ka pasur tensione dhe ka thënë se gjithçka ka shkuar mirë.

Ndryshe, për më shumë se 6 orë sa ka zgjatur takimi, policia ka qenë e pranishme në dhe përreth Bashkësisë Islame të Kosovës, për të cilët Bajgora tha të jenë ftuar pa arsye nga ana e Xhabir Hamitit.

Pas shkarkimit nga posti, me Hamitin ka qenë e pamundur të vihet kontakt për të dëgjuar mendimin e tij lidhur me shkarkimin.

Sido që të jetë, ai në deklarimet e tij, gjatë ditës, pasi kishte pasur edhe një takim të veçantë krahas punimeve të Kuvendit me kryetarin e Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, ka thënë se as aty nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

“Nuk jemi marrë vesh, sepse unë s’kam mundur si kryetar i kuvendit, i cili e mban përgjegjësinë rregullative dhe legjislative që të lëshojë pe në amendamentet kushtetuese dhe nuk kemi ardhur në përfundim të asnjë kompromisi”, është shprehur Hamiti, i cili ka deklaruar tash me kandidaturën e tij për kryetar të BIK-ut.

Punimet e Kuvendit ishin ndërprerë si rezultat i përpjekjeve për të vënë në rend dite, një ndryshim në Kushtetutën e Bashkësisë Islame.

Ky ndryshim thuhet se do t’i paraprinte zgjedhjeve që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj Bashkësie.

Kryetarit aktual të BIK-ut, Naim Tërnava, i ka dalë në mbështetje edhe Lëvizja Islame “Bashkohu”.

Në një komunikatë për media kjo lëvizje ka thënë se “është absurd dhe qesharak pretendimi i Xhabir Hamiti për të ardhur në krye të BIK-ut, kur dihet se BIK-u përfaqëson interesat e besimtarëve myslimanë, ndërsa përkthyesi Xhabir Hamiti nuk ka përkrahjen e asnjë besimtari mysliman dhe për më tepër nuk do të arrijë as plotësimin e kushteve që parashohin dispozitat statutore për kandidim për kryetar të BIK-ut”, thuhet mes tjerash në një komunikatë për media të kësaj lëvizjeje.
XS
SM
MD
LG