Ndërlidhjet

Japonia rrit alarmin e rrjedhjes radioaktive në Fukushima


Kompania Tokyo Electric Power
Kompania Tokyo Electric Power
Agjencia Bërthamore e Japonisë ka rritur nivelin e rrezikshmërisë nga rrjedhja e ujit radioaktiv në centralin Fukushima, nga shkalla një në tre.

Rrjedhja nga një tank magazinimi është zbuluar qysh të hënën.

Fillimisht është klasifikuar si incident i nivelit të parë, bazuar në Shkallën Ndërkombëtare të Ngjarjeve Bërthamore dhe Radiologjike, por Autoriteti i Rregullatorit Bërthamor të Japonisë ka propozuar rritjen në nivelin e tretë të shkallës shtatëpikëshe.

Kjo nuk është një situatë, në të cilën, nëse rrisim strukturën tonë monitoruese, nuk do të ndodhin aksidente të tjera”, ka thënë kryetari i Rregullatorit Bërthamor të Japonisë, Shunichi Tanaka, duke paralajmëruar se “gjërat mund të ndodhin njëra pas tjetrës”.

Raportet nga Japonia thonë se kjo është një masë e përkohshme, e cila duhet të konfirmohet me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Kjo është hera e parë që Japonia deklaron një ngjarje në Shkallën Ndërkombëtare qysh nga tërmeti dhe cunami i vitit 2011.

Katastrofa e dy vjetëve më parë ka rrënuar sistemet e ftohjes në reaktorët e Fukushimës, duke shkaktuar rrjedhje radioaktive. Ngjarja e atëhershme është klasifikuar në nivelin e shtatë.

Në të kaluarën ka pasur po ashtu rrjedhje të ujit, por e tanishmja shihet si më serioze për shkak të vëllimit dhe niveleve të radioaktivitetit në të.

Kompania Tokyo Electric Power, e cila operon me centralin, ka thënë se mbi 300 tonë ujë të kontaminuar janë derdhur.

Ekipet e punëtorëve kanë rrethuar tankun që rrjedh me thasë rëre dhe po bëjnë përpjekje të thithin pellgjet e mëdha të ujit radioaktiv.

Por, korrespondentët atje thonë se kjo është një punë e vështirë dhe e rrezikshme. Uji është aq radioaktiv saqë ekipet duhet të ndërrohen vazhdimisht dhe është e qartë se shumica e ujit të kontaminuar është humbur tashmë nëpër terren.

Qeveria e Japonisë, përmes sekretarit të kabinetit, Yoshihidi Suga, është zotuar se do të ndërmarrë të gjithë hapat për të parandaluar një katastrofë më të madhe.

“Nga cilido kënd, kjo është për keqardhje. Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të ndaluar rrjedhjen e ujit të kontaminuar sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Suga.

Aksionet e operatorit Tokyo Electric Power kanë rënë për 13 për qind, nga frika e investitorëve për ndikimin e këtij zhvillimi.

Nga tërmeti dhe cunami i vitit 2011 në Japoni kanë humbur jetën 19,000 persona, ndërsa mbi 100,000 njerëz janë evakuuar nga zona e Fukushimës.(v.tela)
XS
SM
MD
LG