Ndërlidhjet

Sanksionet e SHBA-së përmbysin planet e arbitrit iranian


Adel Borghei, shtetas iranian, ka punuar si arbitër tenisi në dhjetëra vende. Ka menduar se U.S. Open do të jetë turneu i tij i ardhshëm ndërkombëtar.

Thotë se nga Shoqata Amerikane e Tenisit ka marrë konfirmimin në muajin maj për të punuar në këtë turne, i cili zhvillohet çdo vit në Nju Jork.

Borghei ka bërë përgatitjet e nevojshme, përfshirë edhe sigurimin e një vize amerikane. Por, vetëm disa ditë para se të nisnin rrethet kualifikuese, ai është informuar nga Shoqata Amerikane e Tenisit se nuk mund të shërbejë.

“Kam qenë duke punuar në një tjetër garë ndërkombëtare në Kanada, kur më është thënë se, për shkak të problemeve politike, unë nuk mund të marr pjesë në Open. Kanë kërkuar falje dhe kanë shfaqur shpresën se mund të punojmë së bashku në të ardhmen”, ka thënë Borghei.

Gazeta New York Times ka raportuar se një email nga Shoqata Amerikane e Tenisit, dërguar Borgheit, ka përmendur “ligjet aktuale të Shteteve të Bashkuara”, të cilat ndalojnë turneun Open të pranojë shërbime nga një banor i Iranit.

Viza që ka marrë Borghei ka qenë si duket turistike dhe nuk i lejon atij të marrë pjesë në turneun që nis sot dhe zgjat dy javë.

Farhad Alavi është njëri nga avokatët që po ndihmojnë Borghein.

Shtetet e Bashkuara kanë sistemin e vet të imigrimit me lloje të ndryshme të kategorive të vizave, për lloje të ndryshme të aktiviteteve. Megjithatë, këto kategori nuk janë të zbatueshme për iranianët për qëllime punësimi, për shkak të sanksioneve”, thotë Alavi.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Thesarit i ka thënë gazetës New York Times se ka viza të veçanta në dispozicion për shtetasit iranianë, të cilët duan të punojnë në Shtetet e Bashkuara.

Por, sigurimi i këtyre vizave kërkon aplikacion ndryshe nga ai që ka plotësuar Borghei dhe procedura shtesë burokratike.

Borghei, i cili aktualisht ndodhet në Floridë, beson se një “intepretim i rrpetë i ligjeve” është duke penguar punën e tij në Open.

“Mendoj se këto çështje nuk do të duhej të ekzistonin në vendet që bëjnë këmbime në sport. Atletët amerikanë që udhëtojnë në Iran, nuk përballen me ndonjë problem”, thotë Borghei.

Pavarësisht tensioneve midis Uashingtonit dhe Teheranit, atletët amerikanë dhe iranianë marrin pjesë në ngjarjet sportive të njërit-tjetrit. Në muajin maj, mundësit iranianë kanë mbajtur ndeshje miqësore në Nju Jork.

Avokati Alavi thotë se rasti tregon se si sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, në lidhje me programin e tij bërthamor, kanë ndonjëherë ndikim të thellë personal.

Borghei thotë se sporti dhe politika nuk duhet të përzihen. Ai ende beson se “vendimi i gabuar” do të përmbyset dhe ai do të punojë në turneun Open para se të përfundojë më 9 shtator.

Rasti ndodh në mesin e kritikave në rritje për ndikimin e sanksioneve në jetët e iranianëve të rëndomtë.

Më 21 gusht, rreth 500 aktivistë politikë të Iranit, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe akademikë, brenda dhe jashtë vendit, i kanë bërë thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, “që të punojë drejt eliminimit të sanksioneve dhe uljes së tensionesve midis Iranit dhe SHBA-së”.(v.tela)
XS
SM
MD
LG