Ndërlidhjet

Siri: Inspektorët largohen, SHBA-ja përgatitet për sulm të mundshëm


Ekspertët duke u larguar nga Siria
Ekspertët duke u larguar nga Siria
Inspektorët e Kombeve të Bashkuara, që në Siri kanë zhvilluar hetime lidhur me dyshime për sulm kimik afër kryeqytetit Damask, të shtunën herët në mëngjes janë larguar nga ky vend dhe kanë arritur në Liban.

Inspektorët e kanë kompletuar mbledhjen e dëshmive gjatë ditës së premte dhe pritet që t’i fillojnë analizat e mostrave, diku në Evropë.

Ata janë larguar me anijet e Marinës së Shteteve të Bashkuara, që janë të vendosura në pjesën lindore të Mesdheut dhe janë të armatosura me raketa.

Kombet e Bashkuara ende nuk kanë shpallur se kur do të mund të paraqitej raporti i inspektorëve, të cilët në Siri kanë bërë inspektime katërditëshe.

Largimi i inspektorëve u bë në kohën kur Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë mundësinë e sulmit ushtarak kundër Qeverisë së Sirisë, për shkak të sulmit me armatim kimik.

Sipas një raporti të Inteligjencës amerikane, zyrtarët amerikanë kanë “bindje të madhe” se regjimi i Sirisë e ka ndërmarrë sulmin më 21 gusht, me ç’rast, siç theksohet në raport, janë vrarë 1429 vetë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka deklaruar se “sulmi i këtillë i kërcënon interesat kombëtare të sigurisë” të Shteteve të Bashkuara.

Ky lloj i sulmit i kërcënon interesat tona kombëtare të sigurisë, duke i shkelur normat ndërkombëtare të vendosura mirë kundër përdorimit të armatimit kimik, dhe duke i kërcënuar më tutje miqtë dhe aleatët tanë në rajon, siç janë Izraeli, Turqia dhe Jordania. Kjo i shton rreziqet që armatimi kimik do të përdoret në të ardhmen dhe të bie në duart e terroristëve, të cilët mund ta përdorin atë kundër nesh”, ka thënë Barack Obama, mbrëmjen e së premtes në Uashington.

Më tutje, Obama ka shtuar se Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë mundësinë e “aktit të kufizuar dhe të ngushtuar”, ushtarak.

“Bota ka obligim të jetë e sigurt se ne e mbajmë normën kundër përdorimit të armatimit kimik. Tash, unë ende nuk e kam marrë vendimin final për aksione të ndryshme, që mund të ndërmerren për të ndihmuar në respektimin e kësaj norme”, ka theksuar Barack Obama.

Qeveria e Sirisë e ka dënuar raportin e Inteligjencës amerikane, duke e cilësuar si “të fabrikuar” dhe të bazuar në “gënjeshtrat” e kryengritësve.

Qeveria e Sirisë e ka hedhur poshtë involvimin në çfarëdo sulmi kimik, ndërsa i ka akuzuar kryengritësit se kanë dorë në këto sulme, në përpjekje për ta nxitur intervenimin perëndimor dhe t’i kthejnë pozitat e mëparshme luftarake, që i kanë humbur.

Rusia, që është aleat i Sirisë për një kohë të gjatë dhe furnizues me armatim i Qeverisë së Sirisë, ka thënë se çfarëdo përdorimi i forcës ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të jetë shkelje e së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, ka thënë se akuzat se Qeveria e Sirisë ka përdorur armatim kimik, janë “të pakuptimta”.

Gjatë një vizite në qytetin Vlladivostok në Rusi, Putin ka theksuar se presidenti amerikan, Barack Obama, fitues i Çmimit Nobel për Paqe, duhet t’i ketë parasysh viktimat potenciale të sulmit ushtarak kundër Sirisë.

Putini ka shtuar se do të jetë “ekstremisht dëshpëruese” nëse Shtetet e Bashkuara i fillojnë në mënyrë të njëanshme operacionet ushtarake kundër Sirisë.

Sipas presidentit të Rusisë, vendimi i Parlamentit të Britanisë, që Londra të mos marrë pjesë në sulmet ushtarake, ishte i papritur dhe tregoi se “atje ekzistojnë njerëz me ndjenja të përbashkëta”.

Vetëm Franca publikisht ka paralajmëruar se është e gatshme t’i bashkohet çfarëdo sulmi të Shteteve të Bashkuara kundër forcave të regjimit në Siri. (f.bujupi)
XS
SM
MD
LG