Ndërlidhjet

Studimet e shtrenjta, por të përballueshme



Universiteti Publik i Prishtinës, "Hasan Prishtina", por edhe disa kolegje private, tashmë kanë shpallur konkurset për pranimin e studentëve për vitin e parë të studimeve themelore në vitin akademik 2013 - 2014.

Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për këtë vit akademik do të regjistrojë 11.932 studentë, prej të cilëve 9.412 studentë të rregullt dhe 2.520 studentë me korrespondencë.

Por, çmimet për studime dallojnë varësisht nga institucioni dhe drejtimi, konkretisht në institucionet private arsimore.

Në rubrikën tonë të përjavshme "VOX", kemi marrë mendimet e disa të rinjve, rreth asaj se sa e kanë të vështirë t’i mbulojnë shpenzimet e studimeve. Shumica nga të intervistuarit janë të papunë dhe për anën financiare të tyre kujdesen prindërit.

Lindita Jaka, studion në Fakultetin e Edukimit. Ajo thotë se ndihet me fat që është e vetmja studente në shtëpi, andaj prindërit kanë mundësi t’i mbulojnë shpenzimet për të, meqë ajo nuk punon.

"Unë nuk punoj. Jam studente dhe prindërit kujdesen financiarisht për mua. Semestri nuk më duket shtrenjtë. E kam një lehtësim, sepse jetoj në Prishtinë dhe nuk paguaj qira, si shumë kolegë të mi, për shembull. Gjithashtu, jam e vetmja studente në shtëpi. Ndërkaq, sa i përket literaturës, nuk besoj që është shumë vështirë të sigurohet, i gjejmë përmes studentëve, në internet", thotë Lindita.

Pagesa në Universitet të Prishtinës është 50 euro për semestër për studentët e rregullt, ndërsa 250 euro për studentët më korrespondencë.

Hamdi Gashi mendon se studimet janë të shtrenjta, pasi që, siç thotë ai, papunësia në vend është shumë e madhe dhe mbulimi i shpenzimeve është shumë i vështirë.

"Po, normal se janë shtrenjtë, sepse papunësia është shumë e lartë. Edhe në familjen time nuk punojnë shumë anëtarë të familjes, kështu që kjo pengon edhe në mbulimin e shpenzimeve për studime. Rinia është shumë pak e punësuar", tregon Hamdiu.

E, Lulzim Dibra, studion në Fakultetin Ekonomik. Ai thotë se nuk punon, duke shtuar se shpenzimet për të i mbulojnë prindërit:

" Për literaturë nuk është edhe shumë problem, unë zakonisht i bëj fotokopje, edhe pse sipas meje nuk është e drejtë, por mungesa e të drejtës së autorit ta lejon një gjë të tillë. Por, ka profesorë që i kërkojnë librat e tyre që kushtojnë nga 10 euro e më lart. Ato i blejmë. Por, në përgjithësi, mendoj se për një familje që ka disa studentë, është problem për t’i financuar studimet. Por, gjithçka varet nga kushtet ekonomike, dhe sa anëtarë në familje punojnë".

Nëpërmjet marketingut në media ta shkruara dhe elektronike, kolegjet private ftojnë maturantët që të regjistrohen në këto institucione, duke paraqitur kushte të volitshme si arsimore, po ashtu edhe financiare.

Kolegji privat “Victory”, në ueb-faqen zyrtare, shkruan se ka shpallur konkursin, ndërsa metodat e studimit, janë të rregullt, me korrespondencë dhe në distancë, por që nuk saktësohet sa është numri i studentëve që duhet të pranohen.

Çmimi për një vit akademik në këtë kolegj kushton 600 euro, ndërsa mundësia e pagesës mund të bëhet deri në 12 këste.

Në fakultet privat studion Arlinda. Ajo thotë se është shumë e vështirë t'i mbulosh shpenzimet nëse studion në fakultet privat dhe nuk punon.

"Nuk jam një nga ato që i përkrah universitetet private, sepse edhe janë shumë të shtrenjta edhe mendoj se ndryshe është Universiteti i Prishtinës. Por, unë vjet nuk jam pranuar, kam provuar, por ka qenë e pamundur të pranohem dhe në një mënyrë jam detyruar të shkoj privat. Mendoj se studimet janë të shtrenjta, sidomos kur je e papunë", tregon Arlinda përvojën e saj.

Florentia Kastrati shpreson të pranohet në Fakultetin e Arteve, pasi tashmë ajo ka konkurruar dhe ka kryer testet e nevojshme:

"Babi do të kujdeset për shpenzimet e nevojshme për studime, pasi që unë nuk punoj. Mendoj se në Universitetin e Prishtinës nuk është shtrenjtë, i përshtatet kushteve tona, ndërsa në institucionet private është shumë më shtrenjtë".

Ndërkaq, Kolegji Amerikan në Prishtinë, gjatë këtij viti do të pranojë 150 studentë, kurse çmimi për një vit akademik kushton rreth 6,300 euro, thonë zyrtarë në këtë institucion. Sipas tyre, në këtë institucion, ekzistojnë edhe bursa të ndryshme.

Shpati, edhe pse udhëton nga Gjakova thotë se po ia del të studiojë:

"Financimin e kam të zgjidhur, si problem. Kam fatin që më punojnë të dy prindërit. Anëtarët tjerë të familjes nuk studiojnë, meqë vëllezërit dhe motrat i kam më të vegjël, dhe po ia dalin të më ndihmojnë".

Ndryshe, Universiteti Publik i Prishtinës, gjatë këtij viti akademik do të regjistrojë edhe 323 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva e Bujanoci, si dhe 294 studentë nga minoritetet si boshnjakë, turq, romë, ashkalinj dhe egjiptianë.
XS
SM
MD
LG