Ndërlidhjet

Prishtina e Shkupi, në komunikim telefonik për situatën në kufi


Zëvendës kryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, nuk do të udhëtojë sot për në Shkup, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga kabineti i tij.

Driton Lajçi, këshilltar i zëvendës kryeministrit të Kosovës, ka hedhur poshtë njoftimet se vizita e zotit Kuçi është anuluar, duke thënë se “vetëm ka ndryshuar forma e komunikimit”.

Sipas tij, zëvendës kryeministri I Kosovës është në bisedime me palën maqedonase, për të gjetur një zgjidhje nga situata e krijuar në kufirin Kosovë – Maqedoni.

Kufiri është i bllokuar që nga dita e martë, nga ana maqedonase, me kamionë të Shoqatës së Transportuesve “MakmaTrans”, në shenjë kundërshtimi me vendimin e qeverisë së Kosovës për të sanksionuar hyrjen e prodhimeve maqedonase në Kosovë.

Vendimi për këtë embargo ka pasuar vendimin e Shkupit zyrtar për të vënë taksa hyrjeje për qytetarët e Kosovës.

Ndërkohë, shoqata “Makamtrans”, e cila ka bllokuar kufirin, në Bllacë ka kumtuar se në shenjë të vullnetit të mirë do të zhbllokojë rrugën për automjetet nga 30 minuta në çdo dy orë deri në zgjidhjen e tërësishme.

Përfaqësuesja e shoqatës së transportuesve të Maqedonisë, Biljana Muratovska, thotë se ky vendim është marrë pas sinjaleve pozitive nga politikanët se mund të zgjidhet kontesti mes Prishtinës dhe Shkupit rreth këmbimit tregtar.

Në shenjë të vullnetit të mirë sot kemi vendosur të bëjmë lëshime të vogla. Derisa politikanët e njërës dhe anës tjetër negociojnë, ne do të zhbllokojmë akset rrugore për kalimin e automjeteve nga 30 minuta çdo dy orë, me qëllim që të ulet tensioni i krijuar", ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Muratovska

Mundësinë për zgjidhjen e kontestit e ka paralajmëruar edhe Qeveria e Maqedonisë, ndërsa si formë e mundshme përmendet heqja njëkohësisht e vendimeve nga dy vendet me çka do të vije deri te normalizimi reciprok.

Ministri i Ekonomisë në qeverinë e Maqedonisë, Valon Saraçini, sot është shprehur optimist për zgjidhjen e ngërçit tregtar Maqedoni-Kosovë duke theksuar se takimi i sotëm në nivel të lartë mes dy qeverive , Prishtinës dhe Shkupit pritet të rezultojë me një zgjidhje përfundimtare të problemit.

Gjetja e zgjidhjes është prioritet i lartë i qeverive dhe i dy vendeve, dhe kjo duhet të ndodhë. Pas takimeve që patëm në Prishtinë me ministrat e Tregtisë dhe të Financave, vlerësoj se punët lëvizën në drejtimin e duhur. Dialogu ka filluar dhe janë krijuar kushtet për fillimin e një procesi i cili duhet të çojë në arritjen e zgjidhjes së pranueshme për të dyja palët. Takimi i sotëm në nivel më të lartë qeveritar, duhet të rezultojë me një zgjidhje përfundimtare të problemit”, është shprehur Saraçini.

Se fillon të normalizohet situata thonë edhe bujqit, duke nënvizuar se vendosja e bisedimeve mes Prishtinës dhe Shkupit ka bërë që të shmanget paniku për plasman dhe me këtë fillojnë të stabilizohen dhe çmimet në treg.

“Po në fillim pësoi ulje çmimi i specave të kuq, tani sërish u stabilizua çmimi në 20 denarë, meqë një pjesë e prodhimeve shkuan në Kroaci dhe Greqi, ende kemi problem me plasimin e trangujve që kryesisht janë të destinuar për tregun kosovar”, thotë Risto Hristov, bujk.
XS
SM
MD
LG