Ndërlidhjet

Prishtina: Shkupi pranon kushtet?


Kufiri Kosovë - Maqedoni
Kufiri Kosovë - Maqedoni
Shkupi zyrtar ka pranuar njërin prej dy kushteve që Prishtina i ka vendosur, në saje të zgjidhjes së ngërçit tregtar dhe politik që u krijua me mbylljen e kufirit për produktet maqedonase.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se Maqedonia ka hequr taksën rrugore, e cila obligonte kosovarët që të paguajnë nga dy euro për person, dhe 5 euro për veturë, në momentin kur shkelin tokën maqedonase.

Driton Lajçi, këshilltar i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, thotë se kjo gjë është vetëm hapi i parë drejt kthimit në normale të raporteve Kosovë-Maqedoni.

“Nuk ka një marrëveshje në kuptimin klasik, por është arritur pajtimi për taksën prej 2 eurosh fillimisht; e shumë shpejt do të hiqen të gjitha masat që Maqedonia ia ka vendosur Kosovës. Normalisht, edhe Kosova do të reagojë menjëherë për masat e veta”, ka thënë nëpërmjet telefonit, Lajçi.

Telashet mes dy vendeve kanë nisur që në korrik, kur Shkupi vendosi embargo për import të miellit dhe grurit nga shtetet anëtare të CEFTA-s, e cila kishte afat 3 muaj.

Por, pas skadimit të këtij afati, Maqedonia nuk hoqi embargon dhe Qeveria e Kosovës iu kundërpërgjigj kësaj mase me vendosjen e embargos ndaj disa produkteve të qumështit të prodhuara në shtetin fqinj.

Problemet eskaluan tutje pasi Shkupi vendosi një taksë rrugore nga e diela e kaluar, që irritoi Prishtinën, e cila 24 orë më vonë i mbylli komplet kufijtë për të gjitha prodhimet maqedonase, duke u shkaktuar të paktën 1 milion euro humbje në ditë kompanive të atjeshme që eksportojnë në Kosovë.

“Zëvendëskryeministri Kuçi gjatë gjithë ditës ka qenë në biseda telefonike me zyrtarët e Qeverisë maqedonase, si dhe me partnerin shqiptar të Qeverisë, BDI-në e Ali Ahmetit dhe në parim janë dakorduar se janë të gatshëm dhe kanë vullnet të mirë politik e juridik që të normalizojnë kufirin ndërshtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë….Pra, që të fillohet gradualisht me heqjen e taksës dhe brenda një kohe shumë të shkurtër të ketë qarkullim të mallrave dhe njerëzve në të dyja anët e kufirit”, shpjegon Lajçi detajet që çuan në zmbrapsjen e Shkupit zyrtar.

Qeveria në Prishtinë ka këmbëngulur se nuk do të hapë kufirin për mallin e prodhuar në Maqedoni, derisa ky shtet të kthejë gjendjen në normale dhe të mos e pengojë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, që u krijua me masat e reja administrative maqedonase.

Situata u përshkallëzua nga e marta, kur shoqata e transportuesve nga Maqedonia u përfshi në këtë problematikë dhe bllokoi hyrje - daljet në akset rrugore që çojnë për në pikat kufitare në Han të Elezit dhe Glloboçicë, ku udhëtarët ishin të detyruar të ecnin në këmbë dhe pa makina andej dhe këndej kufirit.

Por, sipas Lajçit, tani situata është tjetër.

“Taksat kanë filluar të hiqen, disa qytetarë tashmë e kanë kaluar kufirin pa paguar taksa të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë", thotë Lajçi, këshilltar i ministrit Hajredin Kuçi.

Zëvendëskryeministrja tjetër e Qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, pati thënë ditë më parë se situata mund të zgjidhet vetëm nga pala maqedonase, sepse ajo ka krijuar këtë situatë, duke u sjellë në kundërshtim me frymën evropiane të bashkëpunimit rajonal.

“Vendimi nuk do të tërhiqet, përderisa të jetë në fuqi vendimi i Maqedonisë, në fakt dy vendimet e Maqedonisë, edhe të kufizimit të miellit, edhe të kufizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve”, pati thënë zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila.

Ndërsa, Driton Lajçi thotë se probleme të tilla me Maqedoninë fqinje Kosova ka tash e katër vjet me radhë, prej se në pushtet ka ardhur Nikolla Gruevski.

Por, për dallim me herët e mëparshme, sipas Lajçit, këtë herë Prishtina ka ndryshuar.

“Kosova para disa vjetësh nuk ka pasur qëndrueshmëri të fortë në vendimet e tilla. Tash Kosova është e pavarur dhe e vendosur në veprimet e veta. Ne do t’i mbrojmë mallrat tona, qëndrimet tona”, thotë Driton Lajçi.

Sipas tij, të dy qeveritë gjatë ditës së enjte pritet të komunikojnë heqjen e masave reciproke të kufizimit të tregtisë dhe lirisë së lëvizjes.

Rreth 300 milionë euro është vlera e mallit që importohet në Kosovë nga Maqedonia, kurse më pak se 20 milionë euro është plasmani i produkteve kosovare në tregun maqedonas.
XS
SM
MD
LG