Ndërlidhjet

Për një aleancë të barabartësh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë


Edi Rama viziton Kosovën
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:08 0:00

Edi Rama viziton Kosovën

"Do të udhëtojmë bashkë të gjithë, ose nuk udhëtojmë fare".

Kështu ka filluar fjalën e tij kryeministri i Shqipërisë Edi Rama para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me rastin e vizitës së tij të parë jashtë vendit.

Ai tha se kufirin në mes të dy shteteve nuk e sheh si sfidën për t'u kapërcyer, por pjesë të një tërësie referencash botërore dhe historike me një hapësirë lirie dhe demokracie të qëndrueshme.

Kryeministri i sapozgjedhur i Shqipërisë, Edi Rama në Kuvendin e Kosovës foli me theks të veçantë për një bashkëpunim më të thellë se deri tani në mes të dy shteteve.

Më lejoni t'ua them me zemër të hapur se nuk jam këtu për vazhdimin e retorikës së dashurisë të shtetit amë ndaj shteti bijë, por fillimin e një aleance strategjike themelore e kryesore mes të barabartësh të Shqipërisë me Kosovën, për t’i kthyer mundësitë e jashtëzakonshme të kohës së re në sukses dhe zhvillim për qenien tonë të pandarë në rrugën e bashkuar të Evropës”, tha Rama.

Ai tha se paraardhësit tanë jetuan në dy shtete, kurse sot, si dy shtete do të jetësohet çdo mundësi e re, në rrugën drejt Evropës.

Kufiri është e djeshmja, e ardhmja nuk ka kufij. Që e djeshmja të mos na kushtëzojë të ardhmen, ka vetëm një gjë për të bëre me vijën e padukshme, të mos e shohim. Dhe po njësoj, një gjë mbetet për të bërë. Ata që merren me kufirin, që na kushtëzojnë vizionin dhe rrugën e të ardhmes me retorikat nacionaliste të së shkuarës, të mos i dëgjojmë”, u shpreh ai.

Rama, marrëveshjen Kosovë-Serbi e ka cilësuar si shumë të rëndësishme duke thënë se ajo do të hapë një kapitull të ri në rajon.

Kryeministri i Shqipërisë nënvizoi se mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërtohet një marrëdhënie mirëbesimi që duhet të nisë nga respektimi i pakicave në të dy vendet.

Kjo është një marrëveshje që ka mbyllur përfundimisht historinë e përgjakshme dhe inercinë paralizuese të ish- Jugosllavisë. Marrëveshja ka hapur para nesh faqen e një historie të re që varet nga ne, në radhë të parë shqiptaret në Shqipëri dhe Kosovë se si do të shkruhet; si një histori ku paqja duhet të sjellë zhvillim ekonomik dhe social për të gjithë”, tha Rama.

Në nëntor të këtij viti, theksoi Rama, qeveritë e dy vendeve do të mbajnë një mbledhje të përbashkët. Sipas tij, kjo do të jetë një mbledhje ku do të fillojë procesi i bashkëqeverisjes strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës që të paktën këto takime të mbahen cdo gjashtë muaj.

“Dua të ndaj me ju gatishmërinë tonë për të punuar bashkë me gjithë faktorin politik të Kosovës, në forcimin e kohezionit të faktorit politik shqiptar në rajon. Në këtë drejtim besoj duhet të kemi si përparsi tona gjithëpërfshirjen pa asnjë përjashtim, dialogun pa asnjë diferencim, bashkëpunimin pa asnjë paragjykim. Në zemrën e Evropës fizikisht, ne duhet të mësohemi të jemi brenda saj realisht”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryeministri Rama është pritur në orët e para ditës nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, me një ceremoni shtetërore nga garda e ceremoniale, ku u intonuan himnet e dy vendeve.

Me të përfunduar ceremonia e pritjes, të dy kryeministrat, në ndërtesën Qeverisë, filluan takimin bilateral të delegacioneve të Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë.

Pas këtij takimi të dy kryeministrat kanë mbajtur një konferencë për media. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pasi ka uruar kryeministri shqiptar Edi Rama për postin e ri, tha se në takim u diskutua për shumë çështje si në aspektin politik, ekonomik e kulturor.

Do të jetë një mundësi e re që ne edhe më tutje ta thellojmë bashkëpunimin. Me një theks të veçantë njoftova kryeministrin Rama për marrëveshjen në mes të shtetit të Kosovë dhe Serbisë të 19 prillit. Kemi diskutuar edhe me herët, unë falënderoj gjithe politikene shqiperis për mbështetjen qe i kane dhen këtij procesi”, tha Thaçi.

Kryeministri Edi Rama është takuar edhe me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe me Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe me përfaqësuesi e partive politike shqiptare dhe ato të komuniteteve.

Edhe ministrat e kabineteve qeveritare janë takuar me homologët e tyre.
XS
SM
MD
LG