Ndërlidhjet

Siria nga 14 tetori “i bashkohet” Konventës së Armëve Kimike


Siri...
Siri...
Kombet e Bashkuara kanë thënë se kanë pranuar formalisht kërkesën e Sirisë për t’iu bashkuar Konventës së Armëve Kimike.

OKB ka njoftuar se Siria do të bëhet pjesë e Konventës nga 14 tetori.

E gjithë kjo është pjesë e një plani të hartuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara për të shmangur sulmet ushtarake në shtetin sirian.

Duke folur pas tre ditësh bisedime me homologn e tij rus, Sergei Lavrov, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë të shtunën se, në baz të planit, Qeveria e Sirisë duhet të ofrojë detaje për të gjitha stoqet e armëve kimike brenda një jave.

“Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë të angazhuara për eliminimin e armëve kimike të Sirisë në mënyrën më të shpejtë dhe më të sigurt të mundshme”, ka thënë Kerry.

Marrëveshja parasheh që inspektorët e armëve të jenë në terren jo më vonë se në muajin nëntor. Qëllim i tyre është të përfundojnë shkatërrimin ose largimin e armëve kimike të Sirisë deri në mes të vitit 2014.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka paralajmëruar “pasoja” nëse regjimi sirian dështon të veprojë në përputhje me marrëveshjen.

Përmes një deklarate, Obama ka thënë se ajo është një “hap i rëndësishëm” dhe i ka bërë thirrje Sirisë që të jetësojë angazhimet e saj publike.

“Nëse diplomacia dështon, Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura për të vepruar”, ka thënë Obama.

Pentagoni ka thënë se forcat amerikane janë ende të poziconuara për sulme të mundshme.

Britania, Gjermania, Franca, Kina dhe Irani kanë mirëpritur po ashtu marrëveshjen ruso-amerikane.

“Do t’i monitorojmë zhvillimet në ditët në vijim, por është lajm i mirë që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë zgjedhur rrugën diplomatike. Është lajm i mirë për të gjithë ne dhe Bashkimi Evropian ka mbështetur këtë proces politik. Jam shumë e lumtur që shoh pak shpresë”, ka thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka thënë se marrëveshja do të ndihmojë në lehtësimin e tensioneve në Siri.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ka thënë se SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk kanë më pretekste për të sulmuar Sirinë.

Në Siri, agjencia shtetërore e lajmeve SANA ka thënë se marrëveshja është një “pikënisje”, por qeveria nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me gatishmërinë e saj për ta zbatuar.

Në anën tjetër, shefi i komandës së Ushtrisë së Lirë Siriane ka kundërshtuar marrëveshjen dhe është zotuar se do të vazhdojë luftën për përmbysjen e regjimit të Bashar al-Assadit.

Salim Idriss ka thënë se marrëveshja ruso-amerikane kërkon vetëm “blerje kohe”.
Ai po ashtu ka thënë se ushtria e Sirisë ka shpërndarë armë kimike në Liban dhe Irak, gjatë ditëve të fundit.

“Kur inspektorët e Kombeve të Bashkuara të vijnë në Siri, regjimi do t’i ketë armët kimike, materialet kimike në Irak dhe Liban. Frikësohemi se regjimi do t’i përdorë këto materiale kundër civilëve në Siri, kundër luftëtarëve rebelë”, ka thënë Idriss.

Jo të gjithë politikanët amerikanë kanë mirëpritur marrëveshjen. Dy senatorë republikanë, John McCain dhe Lindsey Graham, kanë thënë se ajo është një akt i dobësisë nga ana e Amerikës”.(v.tela)
XS
SM
MD
LG