Ndërlidhjet

Thirrje për rezolutë “të fuqishme” kundër Sirisë


Laurent Fabius, John Kerry dhe William Hague
Laurent Fabius, John Kerry dhe William Hague
Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë një rezolutë “të fuqishme” të Kombeve të Bashkuara, me afate të sakta dhe detyruese për largimin e armëve kimike nga Siria.

Zyra e presidentit francez, Francois Hollande, ka bërë publike marrëveshjen për një draft-rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas bisedimeve në Paris me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, sekretarin e jashtëm britanik, William Hague, dhe ministrin e Jashtëm të Francës, Laurent Fabius.

Bisedimet kanë pasuar marrëveshjen ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për arsenalin kimik të Sirisë, e cila po ashtu ka shmangur sulmet ushtarake të SHBA-së kundër caqeve të regjimit sirian.

Kerry ka thënë se marrëveshja me Rusinë jep indikacione se Moska është e gatshme të mbështesë një rezulutë të Kombeve të Bashkuara, sipas Kapitullit 7 të Kartës së OKB-së.

Kapitulli 7 nënvizon autorizimin e mundshëm të OKB-së për sanksione dhe aksione ushtarake, në përgjigje të “kërcënimeve të paqes” dhe akteve të agresionit”.

Hague ka thënë se rezoluta e OKB-së duhet të hartohet në atë mënyrë që të detyrojë Damaskun të raportojë dhe shkatërrojë të gjitha armët kimike, në përputhje me marrëveshjen e së shtunës, midis SHBA-së dhe Rusisë.

“Duhet të kemi një rezolutë, e cila sqaron angazhimin detyrues të Qeverisë siriane”, ka thënë Hague.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se rezoluta që kërcënon Sirinë, mund të dëmtojë bisedimet e paqes, që Moska po përpiqet t’i organizojë midis regjimit të Bashar al-Assadit dhe liderëve të opozitës siriane.

Bisedimet e sotme në Paris janë zhvilluar vetëm disa orë para publikimit të raportit të Kombeve të Bashkuara për një sulm të dyshuar kimik, i cili ka ndodhur më 21 gusht në periferi të Damaskut.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Uashingtoni ka prova që vërtetojnë se sulmi është kryer nga regjimi i Assadit dhe ka vrarë mbi 1,400 njerëz, përfshirë më shumë se 400 fëmijë.

Francois Hollande ka thënë se në fund të kësaj jave, në Këshillin e Sigurimit mund të votohet rezoluta, e cila cakton në hollësi se si Damasku duhet të sigurojë dhe shkatërrojë stoqet e tij të armëve kimike.

Hollande po ashtu ka këmbëngulur se opsioni i sulmeve ushtarake kundër regjimit të Assadit duhet të mbetet në tavolinë, për të siguruar se ai do të veprojë në përputhje me kushtet e marrëveshjes SHBA-Rusi.

“Çfarë duhet të mendojmë për këtë marrëveshje? Mendoj se është një hap i rëndësishëm, por jo pika e fundit” , ka thënë Hollande.

Marrëveshja kornizë kërkon që Damasku, deri më 22 shtator, të paraqesë një listë, e cila dokumenton të gjitha armët e tij kimike.

Damasku po ashtu duhet të lejojë inspektorët ndërkombëtarë që të kenë qasje në terren jo më vonë se në nëntor, ndërsa i tërë arsenali kimik duhet të shkatërrohet deri në mes të vitit 2014.

Në selinë e Kombeve të Bashkuara, ekipi i inspektimit, i udhëhequr nga eksperti suedez i armëve kimike, Ake Sellstrom, ka dorëzuar raportin e shumëpritur në lidhje me sulmin e 21 gushtit.

Raporti i tij bazohet në provat që ka mbledhur ekipi në terren.

Megjithatë, mandati i ekipit të Sellstromit është të përcaktojë se cili lloj i armëve kimike është përdorur, nëse është përdorur, dhe jo të përcaktojë se kush është përgjegjës për përdorimin eventual të tyre.(v.tela)
XS
SM
MD
LG