Ndërlidhjet

Politika e dialogut në KQZ (?)


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Ndërhyrjet politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po vështirësojnë punët rreth përgatitjeve të mirëfillta për zgjedhjet e 3 nëntorit. Kështu të paktë thekson anëtari i KQZ-së nga radhët e subjektit politik Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Ai thotë se ndërhyrjet politike, nga Qeveria dhe përfshirja e KQZ-së përmes kryesueses së KQZ-së në dialogun politik me Serbinë, po pengon institucionin në përmbushjen e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

“Çdo ditë e me tepër çështjet politike që po rezultojnë nga dialogu, po e dominojnë agjendën dhe aktivitetet e KQZ-së, derisa do të duhej të ndodhte e kundërta - që KQZ-ja të fokusohet në aspektet organizative të administrimi të zgjedhjeve të përmirësojë defektet që janë paraqitur në zgjedhjet e kaluara me qëllim të pengimit të manipulimit të zgjedhjeve dhe me mbrojtje të procesit zgjedhor në përgjithësi”, thotë Rrustemi.

Por, ndryshe mendon Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës. Sipas tij, deri më tash në drejtim të organizimit të zgjedhjeve të 3 nëntorit, nuk është paraqitur ndonjë problem.

“Realisht, ne nuk kemi ndonjë problem të theksuar si Komision Qendror Zgjedhor. Janë gjëra që po zhvillohen në proces të normales”, shprehet Gjoshi.

Zyra për Regjistrimin e Subjekteve politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bën të ditur se ende është në procesin e verifikimit të dokumenteve për certifikimin e partive politike, iniciativave dhe kandidatëve të pavarur.

Drejtoresha e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, Miradije Mavriqi, thekson për Radion Evropa e Lirë se deri më tash janë certifikuar 85 subjektet politike.

“Nga takimi i djeshëm në KQZ, kanë mbetur të certifikohen edhe 18 subjektet që kanë aplikuar për certifikim”, bën të ditur Mavriqi.

Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, javën e kaluar pothuajse të gjitha subjekteve politike që kanë aplikuar për regjistrim apo certifikim, u ka dërguar vërejtje për shkak të mangësive, apo disa çështjeve që janë në kundërshtim me ligjin.

Një nga vërejtjet thuhet të ketë qenë edhe për listën “Serbia”, për shkak të emrit.

Lidhur me vërejtjet, anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi, shpjegon:

“Vërejtjet kanë qenë të ndryshme duke nisur nga mospërputhja e kandidatëve. Me komunat përkatëse, madje, ka pasur vërejtje të tilla si ato të emrit, dhe subjektet politike, normalisht, janë përgjigjur sipas asaj që kërkon ligji”.

Ndryshe, edhe pse Beogradi zyrtar u ka bërë ftesë serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, të organizuara nga institucionet e Kosovës, në pjesën veriore ka të atillë që edhe më tutje e kundërshtojnë daljen në zgjedhje.
XS
SM
MD
LG