Ndërlidhjet

Presidentët e rajonit promovojnë fqinjësinë e mirë


Presidenti i Malit të Zi(i pari majtas), presidentja e Kosovës, presidenti i Shqipërisë, dhe ai i Maqedonisë(djathtas), Durrës.
Presidenti i Malit të Zi(i pari majtas), presidentja e Kosovës, presidenti i Shqipërisë, dhe ai i Maqedonisë(djathtas), Durrës.
Presidentët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi u mblodhën në Durrës në kuadër të një iniciative rajonale që promovon vlerat e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me qëllimin e përbashkët integrimin në BE.

Ky është takimi i pestë, që siç tha presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ia doli me sukses të konfirmojë qëllimin e vet.

"Për të gjitha vendet tona, integrimi në BE është dhe mbetet prioriteti kryesor. Dhe, ky rrugëtim i përbashkët do të na e bëjë rrugën më të lehtë, më të konsoliduar, proceset më efiçiente dhe më rezultative për jetën e qytetarëve tanë dhe të vendeve tona", tha Nishani.

Ndërkaq, presidentja e Republikës së Kosovës, Ahtifete Jahjaga, tha se në krye të agjendës së këtij samiti, qëndron gatishmëria për të zgjeruar pjesëmarrrjen. Ajo potencoi angazhimin e Kosovës për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë në rajon duke i kontribuar qëllimit të përbashkët, integrimit evropian.

"Vitin e ardhshëm Kosova ka radhën e organizimit të këtij samiti dhe unë i bëj thirrje në mënyrë publike Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës që të jenë pjesë e këtij samiti, në mënyrë që të ndërtojmë ura të bashkëpunimit në mes shteteve tona. Përmes këtij bashkëpunimi të gjenerojmë mjete dhe përkrahje nga ana e Bashkimit Evropian në mënyrë që të lehtësojmë jetën e qytetarëve tanë brenda vendeve tona dhe më gjerë", theksoi Jahjaga.

Ndryshe nga vite më parë, vendet e rajonit komunikojnë nëpërmjet projektesh të përbashkëta. Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, tha se rajoni më shumë se kurrë ka nevojë për infrastrukturë të re.

"Korridori i 8-të është ai që do të na lidhë. Nëse deri dje flisnim për ide, tani kemi projekte konkrete. Në drejtim të këtij projekti kemi avancuar deri në Gostivar dhe duam që shumë shpejt të arrijmë deri në Qafë Thanë, po apelojmë për të gjetur investitorë dhe shpresojmë të avancojmë në drejtim të realizimit të këtij projekti", u shpreh Ivanov.

Në këtë samit munguan presidentët e Bosnjës dhe Serbisë, ndonëse ftesa për pjesëmarrje kishte shkuar edhe në adresë të tyre. Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, u kujtoi fqinjëve se projektet janë të përbashkëta dhe se ndikojnë jetën e të gjithë qytetarëve.

"Po, ne do të dëshironim që në këtë forum të shihnim dhe fqinjët tanë të përfshihen, sepse rajoni ka nevojë për një infrastrukturë të re. Ne do të donim të shihnim dhe Bosnjën dhe Serbinë këtu, sepse ne flasim për korridore që do të kalojnë dhe përmes shteteve të tyre. E shkuara na mëson që në një ambient të hapur njerëzit kanë më shumë prosperitet dhe përparim", shtoi Ivanov.
XS
SM
MD
LG