Ndërlidhjet

Ndikimi i remitencave në punësim


Ilustrim
Ilustrim
Kosova është një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të pranuar të emigrantëve. Konsiderohet se 18 për qind e bruto-produktit të brendshëm, e përbëjnë remitencat.

Pjesa dërmuese e këtyre dërgesave janë përdorur për konsum të ekonomive familjare. Në vit, sipas të dhënave të Bankës Qendrorë të Kosovës, remitencat kapin shumën prej mbi 500 milionë euro.

Njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se duhet të krijohet një strategji që këtyre mjeteve t'iu ndërrohet fokusi dhe të shfrytëzohen për investime.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se administrimi më i mirë i dërgesave të emigrantëve, do të ndihmonte në hapjen e vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht do të ndikonte në uljen e papunësisë në vend.

“Një pjesë më e madhe e këtyre remitencave vijnë në formë private apo si dërgesa familjare dhe dërgohen për nevoja të shpenzimeve të përditshme, por një mobilizim do të ishte i mirëpritur që shuma e parave që vijnë t'ju gjendet një formë që mundet të aktivizohet për investime kapitale dhe për investime nëpër veprimtari ku mund të ishin hapur vende të punës”, thotë Shatri.

Diaspora kosovare kishte shprehur interesim për të krijuar fonde të veçanta zhvillimore, por deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete.

Emigrantët kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, vazhdimisht kanë dërguar remitenca në Kosovë, dhe njëherësh këto dërgesa kanë luajtur rol të madh të ekonominë dhe zbutjen e varfërisë në vend.

Sipas një raporti të disa organizatave ndërkombëtare, thuhet se 20 për qind e familjeve kosovare pranojnë remitenca.

Por, deri më tani, nuk ka ndonjë raport se sa për qind e emigrantëve kosovarë investojnë në projekte kapitale në Kosovë, e që rrjedhimisht mund të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, thekson se duhet të jetë Qeveria e Kosovës ajo e cila do të mendonte për një strategji të mirëfilltë se ku do të investoheshin paratë e emigrantëve.

“Familjet me vetiniciativë mund të bëjnë diçka, por është individuale, nuk është masovike, por nëse ato përkrahen nga institucionet përkatëse, siç është Ministria e Tregtisë dhe Industrisë apo ministria e Financave, pastaj nivelet lokale, komunat mund t'iu ndihmojnë duke iu dhënë lokacione, infrastrukturë pa ndonjë ngarkesë të madhe fiskale”, vlerëson Shatri.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, në më shumë se 605 milionë euro kanë arritur dërgesat e emigrantëve në Kosovë gjatë vitit 2012, apo rreth 20 milionë euro më shumë se në vitin 2011.

Sokol Havolli, ekonomist në Bankën Qendrore të Kosovës, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, thekson se sipas të dhënave të BQK-së, remitencat janë shpenzuar për konsum dhe, sipas tij, këto dërgesa të emigrantëve kanë pasur efekte pozitive, por edhe ato negative.

“Mund të themi se dërgesat e emigrantëve e dekurajojnë fuqinë punëtore, pasi që njerëzit që pranojnë dërgesa, kanë mjete të mjaftueshme për të realizuar nevojat e konsumit për një periudhë të caktuar dhe si rezultat, pjesa dërmuese e tyre konsumohet”, thekson Havolli

Megjithatë, Havolli bën të ditur se edhe shpenzimi i këtyre mjeteve në konsum nuk duhet të neglizhohet, pasi që ndikimi i remitencave, përveç që ruajnë qetësinë sociale në ekonominë e Kosovës, ato edhe kontribuojnë në mirëqenien e çdo individi në Kosovë.
XS
SM
MD
LG