Ndërlidhjet

Afati më i shpejtë i provuar për çarmatimin kimik të Sirisë


Ekspertët e Kombeve të Bashkuara në Siri
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara në Siri
Kur ekspertët punojnë me gjëra të rrezikshme si gazi sarin dhe mustard, ata nuk duan të nguten.

Por, një agjendë më e shpejtë është pikërisht ajo për të cilën janë dakorduar Shtetet e Bashkuara dhe Rusia në lidhje me Sirinë. Mesi i vitit 2014 për shkatërrimin e të gjitha armëve kimike të Sirisë është afati më i shpejtë që është synuar ndonjëherë.

Andaj, nuk është e çuditshme nëse ekspertët pyesin se në çfarë mënyre do të bëhet çarmatimit. Në mungesë të detajeve nga Uashingtoni ose Moska, shumë supozojnë se qasja do të jetë fleksibile dhe e pazakontë.

“Nuk mendoj se mund të bëhet me një proces tradicional, duke ngritur një objekt të shkatërrimit në Siri, duke e vënë në punë, duke e testuar dhe pastaj shkatërruar stoqet e armëve në mënyrë sistematike. Kjo do të merrte vite. Ju vërtet nuk mund ta bëni këtë brenda disa muajve”, thotë Rolf Trappe, ekspert i pavarur i armëve kimike në Gjenevë.

Më herët, ai ka qenë shkencëtar në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike dhe thotë se në përpjekjet për çarmatim, sipas të gjitha gjasave, do të duhen të përdoren metoda të shumta.

Megjithatë, Trappe thotë se parashikimi i tyre është i vështirë, pasi specialistët e armëve duhet të marrin informacione të plota nga Damasku për llojin, dimensionet dhe lokacionet e stoqeve të tij kimike.

Uashingtoni dhe Moska kanë thënë se Qeveria siriane duhet t’i ofrojë këto informacione brenda një jave, pas miratimit të rezolutës së Kombeve të Bashkuara, e cila urdhëron Damaskun të dorëzojë armët kimike.

Një metodë mund të jetë trasportimi i stoqeve siriane për shkatërrim në Rusi ose Shtetet e Bashkuara. Por, kjo aletrantivë komplikohet me faktin se Siria është në luftë civile dhe transportimet mund të jenë të cenueshme nga sulmet.

Ish-udhëheqësi i Ekipit Inspektues të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Dieter Rothbacher, e sheh si mundësi të kufizuar heqjen e materialeve nga Siria.

“A mund të trasportohen nga Siria? Në parim është e mundur. Ka kontejnerë specialë, në të cilët mund t’i paketoni municionet dhe t’i transportoni ato. Por, në aspektin logjistik, mendoj se është më e vështirë të transportohen sesa të shkatërrohen në vend”, thotë Rothbacher.

Por, shkatërrimi i armëve kimike brenda Sirisë gjithashtu paraqet sfida të mëdha. Për të shkatërruar stoqe të mëdha duhet të ndërtohet një objekt djegës dhe të sillen të gjitha materialet aty. Të dyja janë të vështira për t’u bërë nëse nuk ka bashkëpunim të plotë në siguri, jo vetëm nga Qeveria siriane, por edhe nga grupet rebele.

Trappe thotë se një zgjidhje më e mirë mund të jetë sjellja e objekteve mobile djegëse në Siri dhe përdorimi i tyre për shkatërrimin e stoqeve të vogla. Materialet e tjera mund të shkatërrohen me ujin që deaktivizon molekulat e tyre.

Megjithatë, praktika më e mirë është të kesh teknologji dhe kohë të mjaftueshme në dispozicion, ashtu siç kanë për shembull Shtetet e Bashkuara për shkatërrimin e stoqeve të veta. Procesi është zhvilluar për 28 vjet dhe vazhdon ende. Armët kimike janë duke u shkatërruar në furra të veçanta, që filtrojnë edhe mbeturinat, në mënyrë që ato të mos hyjnë në atmosferë.

Praktika më e keqe është përdorimi i zgjidhjeve të improvizuara, siç kanë bërë për shembull Shtetet e Bashkuara me armët kimike të Gjermanisë naziste, duke i gropuar në det, apo inspektorët e Kombeve të Bashkuara me armët kimike të Irakut që i kanë djegur në gropa të hapura.

Ajo çfarë është e sigurt për Sirinë është se fuqitë botërore nuk do të shqyrtojnë ndonjë afat tjetër përveç atij që është vendosur në marrëveshjen kornizë midis Uashingtonit dhe Moskës.

Vendet perëndimore duan ta mbajnë të shtrënguar Assadin me shpresën se nuk do të ketë më sulme kimike.

Inspektorët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë më 16 shtator se kanë “prova të qarta dhe bindëse” për përdorimin e armëve kimike në sulmin e 21 gushtit, jashtë Damaskut. Ata nuk kanë thënë se kujt i takon përgjegjësia, por Uashingtoni ia hedh atë regjimit sirian.(v.tela)
XS
SM
MD
LG