Ndërlidhjet

“Pri Film Fest” - pjesë e diplomacisë kulturore


"Pri Film Fest"
"Pri Film Fest"
Edicioni i pestë i Festivalit ndërkombëtar të filmit “Pri Film Fest”, i cili këto ditë po mbahet në Prishtinë, ka sjellë 49 filma nga e gjithë bota, të cilët do të shfaqen në 7 programe të ndryshme të këtij festivali.

Drejtoresha e Festivalit “Pri Film Fest”, Vjosa Berisha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të gjithë filmat janë premierë për publikun kosovarë , ndërkohë që dy prej tyre, të prodhimit kosovar, janë edhe premiera botërore.

“Jepen 49 filma në 7 programe të ndryshme. Tre prej tyre janë garues. Është programi i filmave të metrazhit të gjatë - festivali ynë është festivali i vetëm ndërkombëtar që shfaq filma të metrazhit të gjatë në Kosovë. Pastaj, filmat e metrazhit të mesëm dhe filmat ballkanikë të metrazhit të gjatë. Këto janë tri programet konkurruese”.

“Ndërkat, programet tjera janë: programi dokumentar, programi i projeksionit special - ku ne sjellim gjithmonë fituesit e festivaleve më prestigjioze, Kanës, Berlinit, fitues të Oscar-it, e kështu me radhë”,
ka thënë Berisha.

Drejtoresha e festivalit ka shtuar se sivjet për herë të parë në festival, në konkurrencën kryesore, merr pjesë edhe një film nga Rusia, ndërkohë që mjaft filma vijnë nga Gjeorgjia, Franca, Gjermania, Kroacia, Serbia, por edhe nga kontinenti i Afrikës.

Berisha thotë se në fokus të edicionit të sivjetmë të festivalit është promovimi i filmave nga Amerika Latine.

“Në fokus të festivalit gjithmonë zgjedhim një shtet, kinematografinë e të cilit e promovojmë dhe kemi pasur deri më tani Italinë, Francën, si dhe Japoninë në vitin e kaluar. Kurse, sivjet kemi zgjedhur një kontinent. Kemi zgjedhur Amerikën Latine, ku i kemi marrë filmat nga 5 shtete të Amerikës latine. Kjo është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Këshillin Britanik, Ambasadën norvegjeze dhe Ambasadën britanike, si pjesë apo si një farë ndihme në aspektin e diplomacisë kulturore”, ka shpjeguar Berisha.

Organizatorët e festivalit “Pri Film Fest”, kanë vlerësuar se ky festival ka një rëndësi të veçantë për kinematografinë kosovare, për faktin se jo vetëm që sjell mjaft filma nga bota, por edhe mysafirë që janë emra të rëndësishëm në kinematografinë botërore, të cilët vijnë në Kosovë dhe komunikojnë e bashkëpunojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me artistët dhe producentët kosovarë të filmit.

Për këtë arsye, në kuadër të festivalit, tash e katër vjet është krijuar forumi, i cili edhe sot është pjesë e festivalit. Ky forum mbledh kineastët e pesë vendeve të rajonit: Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Drejtuesi i këtij forumi, regjisori Fatos Berisha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ekspertët evropianë të kinematografisë janë duke mbajtur punëtori me kineastët e rajonit.

“E veçanta e këtij edicioni, përveç ditës së konferencës, ku paraqiten gjendjet e industrive dhe ku janë mysafirë drejtorët e qendrave të filmit nga gjithë rajoni dhe producentë të ndryshëm nga rajoni, është se sivjet do të bëhet edhe një garë e projekteve”.

“Do të thotë, projektet e filmave të metrazhit të mesëm nga pesë shtete garojnë me projekte. Kanë pasur një ditë punëtori me producentin slloven Daniel Hoçevar, ndërsa aspekti i dytë është se ata do t’i prezantojnë projektet e tyre para një jurie ndërkombëtare, e cila do ta zgjedhë projektin më të mirë dhe do ta shpërblejë”, ka theksuar Fatos Berisha.

Ai ka shtuar se të gjithë producentët e filmit në Kosovë janë ftuar të marrin pjesë në forum dhe në punëtoritë e organizuara për të përfituar nga eksperiencat e ekspertëve evropianë të kinematografisë, si dhe të krijojnë mundësitë e bashkëpunimit me bashkëprodhimit të filmave me vendet tjera.

Ndryshe, në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit “Pri Film Fest”, është edhe programi i ri i quajtur “Le të jetë”, i cili është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, si dhe festivalet “Out fest” dhe “Sundance”.

Ky program është një qasje, që festivali “Pri Film Fest” e ka bërë ndaj temave sociale, siç është edhe tema e homoseksualizmit. Me këtë temë do të shfaqen disa filma, të cilët kryesisht janë fitues të festivaleve prestigjioze, si ai Kanës, “Sundance” e të tjerë.

Festivali “Pri Film Fest” do të zgjasë deri më 28 shtator kur edhe do të jepen çmimet për filmat që do të vlerësohen si më të mirët, në kategori të ndryshme.
XS
SM
MD
LG